Të ftuar:
Dr. Iva Cakoni: Mjeke ORL
Elvis Hyka: Logoped
Gazetare: Ermelinda Ndoja
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Sherden
800 gr – 1 kg të brendshme qingji
3 kokrra qepë
2 filxhan kafe oriz
Vaj ulliri
Kripë + piper të zi
Fillimisht vendosim rizen ( pëlhuren e dhjamit ) në ujë që të zbutet. Pastrojmë mëlçitë dhe i vendosim në një tenxhere me ujë që të valoje për 10-15 minuta. Më pas i largojmë nga tenxherja mëlçitë dhe i lëmë të ftohen dhe më pas i presim në kubikë me brinjë 1 cm. Ndërkohë qe melçitë po ziejnë, grimë qepen shumë hollë dhe e kaurdisim atë me 4 lugë gjelle vaj ulliri derisa qepa te zbutet e të zverdhet pak. Shtojmë mëlçitë në kubik i kaurdisim për 5 minuta. Rregullojmë shijen me kripë, piper të zi dhe dy filxhanë kafeje oriz të shpërlarë mirë. Shtojmë dhe një gotë ose 1.5 gotë lëng nga zierja e mëlçive duke kaluar lëngun në sitë. I ziejmë në zjarr vetem 5 minuta e më pas transferojmë përbërsit nga tigani në tavë. Mbulojmë mëlçitë me rizen (cipen e dhjamit) dhe vendosim taven në furrë në temperaturën 180 gradë për 25 minuta derisa cipa të marre ngjyrë kafe të artë.
Brokoli me vezë
250 gr brokoli
1 lugë gjelle qepë të grira
Pak spec jeshil
2 lugë gjelle majdanoz të grirë
3 vezë
Kripë + piper të zi
1.5 lugë gjelle miell misri
Vaj ulliri
Ndajmë brokolin në boçe të vogla dhe e vendosim në ujë të nxehtë për ta zierë vetem 5 – 6 minuta me pak kripë. Më pas kullojmë brokolin dhe në dërrasen e punës e grim atë shumë hollë e më pas e vendosim në një tas ku do të shtojmë një lugë gjelle qepë të grira + specin mund të jetë dhe pikante +majdanozin. Ndajmë vezët e verdha nga të bardhat veç e veç, shtojmë në tavë tasin me brokoli + kripë + piper të zi + miellin e misrit + te bardhat e vezëve dhe i përziejmë të gjithë përbëresit mirë me lugë. Ngrohim në tigan pak vaj 4 lugë gjelle dhe vendosim dy lugë gjelle brokoli i japim formen e një petulle duke bërë ne qëndër një gropëz në të cilën vendosim një të verdhe veze. Kështu vazhdojmë edhe me dy të tjerat. Vendosim kapakun që të mpikset veza nëse dëshironi të piqen me shumë vezë dhe mund ta ktheni atë. E më pas i shërbejmë.
I kanë ditëlindjet njëri pas tjetrit, gazetarja e “Shije Shtëpie” uron “dashurinë më të madhe”
Pas prezantimit të temës së ditës të programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan, gazetarja Ermelinda Ndoja ‘rrëmbeu’ disa sekonda për të ndarë një dedikim të veçantë. Babai i saj feston ditëlindjen dhe ajo e uroi përmes ekranit duke e quajtur “dashurinë më të madhe”. Por moderatorja Katerina Trungu zbuloi se ditëlindjet e gazetares dhe babait të saj, janë fare pranë pasi ajo e ka festuar më 18 mars.
Ermelinda Ndoja: Dua të bëj një urim për babin tim që sot ka ditëlindjen, i uroj edhe 100 vite të lumtura! Ndjesë se dola dhe ju ndërpreva…
Katerina Trungu: Jo, ç’e vret mendjen, kjo është arsye e bukur. Edhe 100!
Ermelinda Ndoja: Edhe 100 vite të lumtura babit tim, është dashuria ime më e madhe, është bekimi i familjes sonë dhe i uroj jetë të gjatë e shëndet! Të paçim gjithmonë në jetën tonë!
Katerina Trungu: E paskeni ditëlindjen afër?
Ermelinda Ndoja: Po.
Katerina Trungu: Edhe 100 edhe ty, edhe pse ka kaluar, gëzuar ditëlindjen! Edhe Ermelinda ka festuar ditëlindjen ditën e djeshme, e paskeni njëri pas tjetrit. E festoni bashkë?
Ermelinda Ndoja: Bashkë.
Katerina Trungu: Ka ndonjë lajm tjetër për të ndarë?
Ermelinda Ndoja: Jo, Katerina.
Katerina Trungu: Je e sigurt?
Ermelinda Ndoja: Asgjë, gjithçka nën kontroll.
Humbja e dëgjimit: simptomat, shkaqet dhe trajtimi
Operacioni në veshin e dëmtuar mund të dëmtojë tjetrin? Mjekja ORL qartëson telefonuesen
Pakësimi e deri humbja e dëgjimit mund të ndodhë për shkaqe të ndryshme, disa prej të cilave u përmendën gjatë programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave e tingujve të lartë, trashëgimia gjenetike dhe medikamentet toksike janë disa prej faktorëve kryesorë.
Në rastin e pakësimit të dëgjimit rekomandohen aparatët ose implantet, ndërsa nëse daullja është çarë, nevojitet ndërhyrja. Në hapësirën e telefonatave me mjeken ORL, Iva Cakonin, një telefonuese ndau rastin e vëllait të saj. Ai është 30 vjeç dhe ka dëmtim të daulles së veshit, por ngre një pyetje: a e dëmton ndërhyrja veshin tjetër?
Telefonuesja: Dua të pyes në fakt për vëllain tim, është 30 vjeç dhe mjekët i kanë thënë që ka dëmtim të daulles së veshit. Na kanë thënë ose për ndërhyrje, ose do të vazhdojë ashtu se nuk ka mjekim. Çfarë mund të thotë doktoresha për këtë rast? Ne s’i kemi bërë operim pasi kemi një frikë, kemi dëgjuar që mund të dëmtohet edhe veshi tjetër.
Iva Cakoni: Dëmtimi i daulles së veshit mund të jetë nga infeksionet që ka kaluar në fëmijëri…
Katerina Trungu: A mund ta dimë shkakun?
Telefonuesja: Po. Ka pasur probleme gjatë fëmijërisë, shumë me veshët dhe besoj edhe nga mjekimi i gabuar sepse është mjekuar pafund dhe nga kjo besoj që e ka.
Iva Cakoni: Infeksionet e shpeshta, herë pas here, me rrjedhje veshi, nëse nuk janë mjekuar siç duhet ose nuk janë ndjekur nga afër sepse ka fëmijë që në fëmijërinë kalojnë shpesh. E rëndësishme është që sot të mjekohen vazhdimisht në mënyrë që t’i japë mundësi veshit të shërohet dhe nëse ka çarje të vogël të daulles, duke qenë veshi i thatë nga infeksioni, ai ka aftësi që të rigjenerohet dhe të mos ngelet daullja e çarë. Në rastin e djalit që është 30 vjeç dhe tani jemi në faktin që ai e ka daullen e çarë, e vetmja mundësi për ta mbyllur apo për ta korrigjuar është timpanoplastika që është një operacion plastik i daulles së veshit.
Katerina Trungu: Por a është e vërtetë kjo që thotë zonja në telefon, që dëmtohet veshi tjetër?
Iva Cakoni: Jo, absolutisht nuk ka lidhje. Operacioni bëhet në veshin që e ka problemin, veshi tjetër nuk preket kështu që mos të ketë merak.
Problemet me dëgjimin, si mund t’i parandaloni?
Çamçakëz për të përmirësuar dëgjimin, shpjegimi pas këshillës së ‘çuditshme’
“Përtyp çamçakëz” është një këshillë paksa e çuditshme nëse e dëgjon nga mjeku ORL, por ka një shpjegim shkencor pas tij. Mjekja Iva Cakoni shpjegon në programin “Shhije Shtëpie” në Tv Klan se përtypja e çamçakëzit mund të ndihmojë personat që kanë probleme me dëgjimin. Ky proces aktivizon gëlltitjen që më pas mundëson hapjen e një tubi që lejon hyrjen e ajrit në vesh.
Iva Cakoni: Çamçakëzi ndihmon në nxitjen e pështymës dhe në gëlltitje. Procesi i gëlltitjes ndihmon në hapjen e tubit të eustakut që është vendi ku veshi ajroset. Personat që kanë këtë problematikë, do të thotë që tubi i eustakut qëndron i mbyllur, kanë probleme me balancimin e presionit të ajrit brenda veshit dhe shpesh thonë që nuk dëgjojnë mirë, ndihen si në qyp, ndiejnë boshllëk në vesh dhe ne u rekomandojmë të bëjnë këtë gjë në mënyrë që të shërbejë në hapjen e këtij tubi dhe futjen e ajrit në vesh.
Katerina Trungu: Ky tub ngushtohet vetë apo është çështja e dyllit?
Iva Cakoni: Jo, ky tub lidh veshin e mesëm, është një kavitet i mbushur me ajër, por është pas daulles së veshit, nuk ka lidhje me kanalin, është më tutje dhe lidh pjesën e fundit të hundës, komunikon hunda me veshin. Shpesh ne i rekomandojmë nënat që kur fëmija ka sekrecione nga hunda të tregojnë kujdes t’i mbajnë hundët sa më të lira, sa më të pastra në mënyrë që veshi të mos vuajë.