Të ftuar:

Henri Bici – avokat

Denisa Kele – eksperte IA

Në skype:

Gëzim Tushi – sociolog

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Byrek me patëllxhanë dhe djathë

Brumi

500 gr miell

280 ml ujë të vakur

1 lç kripë

1 lgj vaj

Niseshte për hapjen e petëve

Vaj për lyerjen e petëve

Mbushja

3 patëllxhanë të mëdhenj

1 lgj miell

4 lgj vaj ulliri

1 qepë mesatare

4 thelpinj hudhër

1 fç domate në copa

1 lç rigon i thatë

Kripë dhe piper i zi

150 gr djathë i bardhë

Bashkojmë të gjithë përbërësit e brumit në një tas. I punojmë me duar deri sa të na formohet një brumë jo i fortë. E lëmë brumin të mbuluar të pushojë për 20 minuta. Më pas e ndajmë atë në kuleç të vegjël. I mbulojmë kuleçët dhe i lëmë përsëri të pushojnë për 10-15 minuta. Gjatë kohës që brumi pushon, përgatisim mbushjen. Ngrohim vajin dhe kaurdisim qepën të prerë në kubikë të vegjël deri sa qepa të zbardhet pak. Shtojmë hudhrat e copëtuara e më pas patëllxhanët e prerë në kubikë 0,5 cm të cilët i pudrosim me pak miell në një kullesë me qëllim që mielli të mos mbetet. Shtojmë patëllxhanët në tigan dhe vazhdojmë skuqjen së bashku me qepën për 5-7 minuta. Shtojmë domatet në copa, kripë e piper të zi, piper të kuq, rigon dhe vazhdojmë përzierjen e tyre deri sa shohim që patëllxhanët kanë ulur volumin. Largojmë tiganin nga zjarri dhe pasi thërrmojmë djathin, e shtojmë në tigan, i përziejmë dhe e lëmë mbushjen të ftohet.

Hapim katërshen e parë të petave në një petë të vetme. Lyejmë tepsinë me vaj dhe e vendosim petën në të. E spërkatim në sipërfaqe me vaj e më pas hapim katërshen e dytë të petëve në një të vetme dhe e vendosim mbi petën e parë. Sipër saj vendosim mbushjen me patëllxhanë. Hapim petët e mbetura dhe mbulojmë mbushjen. E spërkatim mirë me vaj, kthejmë anët të cilat i lyejmë edhe ato me vaj e më pas vendosim byrekun në furrë në temperaturë 200 gradë për 35-40 minuta.

Supë krem me kungull të njomë

400 gr kunguj të njomë

 1 qepë mesatare

1 karotë

1 tufë majdanoz

250 gr patate

Kripë dhe piper i zi

800 ml ujë ose lëng perimesh

Vaj ulliri

Lëng limoni

2 thelpinj hudhër

Fillimisht qërojmë patatet dhe pasi i presim në kubikë, i vendosim në një tenxhere ku do të gatuajmë supën. I mbulojmë me ujë të ftohtë dhe i vendosim në zjarr për të zierë 12 minuta nga momenti që fillon e merr valë. Ndërkohë në një tigan ngrohim vajin e ullirit dhe kaurdisim qepën deri sa të bëhet transparente. Shtojmë karotën të grirë në rende të trashë dhe vazhdojmë përzierjen për 2 minuta të tjera. Qërojmë shumë hollë lëkurën e kungujve, i presim në kubikë dhe i shtojmë në tigan. I kaurdisim së bashku për 10 minuta e më pas përbërësit në tigan. I transferojmë në tenxheren me patate. Shtojmë një lugë çaji kripë e më pas shtojmë ujë ose lëng perimesh ose mishi nëse dëshironi. Vendosim kapakun dhe lëmë supën 15 minuta. Në 3 minutat e fundit shtojmë dhe majdanozin e grirë. Në fund kalojmë supën në blender dhe e kthejmë atë në pure. Në fund mund të shtypni 2 thelpinj hudhër. Mund të shtoni dhe 2 lugë gjelle lëng limoni nëse dëshironi. E shërbejmë me pak vaj ulliri në pjatë.

Gjyshja e TikTok dhe i biri arrestohen, ja sa mund të dënohen

“Të mpirë e të droguar nga TikTok-u”, eksperti: Jemi në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, si kurrë më parë!

Të mërkurën ndodhi një rast shumë i pazakontë, ku policia vendosi në pranga 67-vjeçaren Natasha Rombula dhe Armando Kumarakun, 44 vjeç, pasi ata shfrytëzonin një 10-vjeçar (nipi dhe djali i të arrestuarve), me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok.

Kjo ka qenë edhe tema e ditës së sotme në emisionin “Shije Shtëpie”, në Tv Klan, ku sociologu Gëzim Tushi, u shpreh se ky është një fenomen shumë shqetësues. Sipas tij, shoqëria shqiptare ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, pikërisht për shkak të këtyre situatave.

Ai gjithashtu tha se fëmijët sot janë të mpirë dhe të droguar nga TikTok-u e mediumet e tjera që përdorin, duke krijuar kështu një anestezi sociale.


Gëzim Tushi: Unë gjykoj që fenomeni është shumë shqetësues. Shoqëria shqiptare po ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, shumë delikate, ndoshta si kurrë më parë. Kjo ka dy arsye dhe unë mendoj që duhet të bëjmë një diagnostikim të shkaqeve që është kjo situatë. Jo vetëm të rasteve individuale, se kam përshtypjen, ky helmi i interpretimit ose i shpërdorimit të fëmijëve, për qëllime të caktuara, tanimë ka filluar ta kapë gjerësisht trupin e shoqërisë. Një gjë duhet kuptuar, duket qartë që në përgjithësi kur familja është e destabilizuar, do të kemi fëmijë të çoroditur. Shumë rrallë mund të ndodh që një familje e destabilizuar, të ketë mundësi që të ketë parime prindërimi, ose kuota prindërimi, për të rritur një fëmijë normal, për ta ruajtur atë nga këto helmet, për ta ruajtur atë nga kjo anestezia sociale e rrjeteve sociale, që po bëhet dominonte dhe e frikshme për fëmijët. Po të them është një anestezi sociale! Fëmijët janë të mpirë nga TikTok-u dhe nga rrjetet sociale, e nuk arrijnë dot më të perceptojnë as intervenimet e familjes, as intervenimet edukativ të shkollës, as ndërhyrjet, por janë tamam, do thosha të droguar nga kjo gjë. Ky fenomen është bërë shumë masiv, shumë i përhapur.

Arsyeja kryesore sipas gjykimit tim është së pari, njëherë, familja shqiptare. Sa më shumë po i rritet destabiliteti i brendshëm dhe sa më shumë po i zgjerohen niveli i shtimit të numrit të divorceve, po rrit gjithmonë pasojat që po shkaktohen mbi fëmijët. Pasoja, të cilët i kthejnë fëmijët në jetim social dhe mbi të gjitha, ajo që është e shëmtuar, është fakti që ne nuk bëjmë divorce miqësore. Ne harrojmë që jemi prindër, kjo është një tmerr i kulturës shqiptare. E kemi ne ballkanasit, më shumë se e gjithë Evropa. Kudo divorcohen, bile ka dhe nivele më të larta të divorcit se në Shqipëri, por ata divorcohen si bashkëshort, por nuk divorcohen si prindër, pra mbajnë përgjegjësinë prindërore. Dy palët ndikojnë pozitivisht në mënyrën edukative. Nuk mund t’i thotë babai ose nëna: “Nëna jote është një përbindësh”, vetëm për të ngjallur urrejtje e saj. Imagjinoni, çfarë mund të ndodh me një fëmijë që ka një dekotomi të tillë agresive nga të dy palët që godasin fëmijën, tek i cili ngjalli urrejtjen për njërin apo për tjetrin? Dhe në këto rrethana, një fëmijë im tillë është i ngjashëm që të kthehet në viktimë: në viktimë sociale apo individuale. 

Babai dhe gjyshja e mësonin, ndjekësit e “shpërblenin” me para! Ekspertja flet për rastin e 10-vjeçarit

Këtë të enjte, në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ka qenë e ftuar ekspertja e IA, Denisa Kele, e cila ka folur në lidhje me ngjarjen që u raportua ditën e djeshme.

Të mërkurën Natasha Rombula dhe i biri i saj Armando Kumaraku kanë rënë në prangat e policisë, pasi shfrytëzuan djalin e mitur për të përfituar para nga TikTok-u. Në videot e shpërndara kudo në rrjet, shfaqej edhe djali 10-vjeçar duke përdorur një fjalor të papërshtatshëm ndaj një komentuesi.

Për këtë rast, ekspertja u shpreh se kur ka parë videot, vuri re se kishte edhe njerëz që i shpërblenin me dhurata. Në gjuhën e TikTok-ut, kjo do të thotë të fitosh më shumë para. Pra, përpos gjuhës së turpshme, kemi një publik që inkurajon dhe e përqafon një veprim të tillë.


Denisa Kele: Pa dyshim që me fëmijët fitohet më shumë. Dhe në qoftë se do të marrim rastin në fjalë, unë e kam ndjekur shumë pak, por kam pasur mundësi mbrëmë dhe parmbrëmë; kam parë pak videot e tyre që ekspozonin në rrjetet sociale, kishte personazhe të tjerë që kur dëgjonin fëmijën që fliste me këtë gjuhë i bënin dhurata. Dhurata në rrjetet sociale dhe kjo është mënyra që fitohet. Pra, ato janë të kategorizuara. Një dhuratë që kushton 50 euro, një që kushton 100 euro, një që kushton 200, një që kushton 2000, ka të ndryshme. Dhe praktikisht, nga audienca që e dëgjon dhe nga audienca që gjen veten në këtë gjuhë, fëmija shpërblehej.

Katerina Trungu: Se unë nuk e përdor dhe prandaj pyes. E marr, e shoh videon e Denisës dhe kam opsionin aty që unë të zgjedh një dhuratë. Është e lidhur me llogari bankare të të dy palëve dhe kalojnë paratë nga unë tek ty.

Denisa Kele: Po! Kjo është një lloj forme në të cilën prindërit, se më vjen keq të them prindër në këtë rast, por që përdorin fëmijët për përfitime financiare, duke ditur padyshim vulnerabilitetin e personave që e shohin. 

13-vjeçarja abuzohej nga dy bashkëmoshatarët | Kele: Videoja pëlqehej e shpërndahej, tregon ligësinë e shoqërisë shqiptare

Ekspertja e IA, Denisa Kele, e ftuar këtë të enjte në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ka ndarë rastin e një 13-vjeçare shqiptare, e cila abuzohej seksualisht nga dy bashkëmoshatarët e saj, në TikTok.

Ajo tha se ky postim kishte shumë shpërndarje e pëlqime në rrjet, duke treguar, sipas saj, të gjithë ligësinë që ka shoqëria shqiptare.


Denisa Kele: Ajo që çfarë tërheq, po flas për tregun shqiptar, të paktën nga statistikat që kemi bërë dhe kemi parë në rrjetet sociale, ajo çfarë tërheq në tregun shqiptar është pikërisht: dalja e fëmijëve dhe shfaqja e gjuhës agresive; abuzimi seksual me të miturit. Dhe nëse do të shikojmë video nëpër rrjetet sociale, ka video të abuzimit seksual me vajza të mitura, 12-13 vjeç dhe janë video që klikohen më shumë, janë video që shpërndahen më shumë dhe janë video që kanë më shumë ‘like’ (pëlqime).

Agida Koçi: Dhe ku janë të postuara këto?

Denisa Kele: Në TikTok dhe është shumë i thjesht t’i gjesh sepse TikTok-u ka një algoritëm shumë të fuqishëm. Momentin që ti kërkon një fjalë kyçe: “Abuzimi seksual”, do shikosh që do të dalin të gjitha videot që janë në TikTok për sa i përket abuzimeve. Dhe unë sinqerisht kam ngelur e shtangur, momentin që kam parë një video ku një vajzë shqiptare 13 vjeçare, abuzohej seksualisht nga dy bashkëmoshatarët e saj. Kishte kaq shumë shpërndarje dhe kishte kaq shumë ‘like’, kjo tregon të gjithë ligësinë që shoqëria shqiptare ka, që për fat të keq po e kuptojmë me shpërndarjen dhe hapjen masive të rrjetit social. 

1/25 njerëz tentojnë të vrasin veten nga mediat sociale, shifrat e fundit të frikshme

Raporti i fëmijëve me mediat sociale, statistikat e frikshme: 1 në 25 tentojnë vetëvrasjen

E ftuar këtë të enjte në emisionin “Shije Shtëpi”, në Tv Klan, ka qenë ekspertja e IA, Denisa Kele, e cila ka treguar disa statistika tepër të frikshme që lidhen me rrjetet sociale dhe fëmijët.

Ajo u shpreh se para tre javësh doli një raport nga Kongresi Amerikan, ku thuhej se 1 në 4 fëmijë është me depresion dhe 1 në 25 fëmijë ka tentuar vetëvrasjen, vetëm nga bullizimi në mediat sociale.


Katerina Trungu: Denisa, këto nuk është familja e vetme, ose personazhi i vetëm, veçanërisht i kësaj moshe, që përdor këtë fjalor dhe këtë stil komunikimi në TikTok.

Denisa Kele: Fatkeqësisht jo! Nuk e di, pse në Shqipëri ky fenomen është kaq i përhapur dhe nuk e kuptoj se pse familjet shqiptare kanë një disfunksionalitet në mënyrën se si ato qëndrojnë apo funksionojnë. Nuk është rasti i vetëm, unë kam parë raste të tjera pafund, edhe me nëna të moshës 30-35 vjeçare, që përdorin seksualitetin e tyre, në radhë të parë, për të tërhequr e për të fituar para dhe më pas fëmijët e tyre, po për të njëjtën arsye.

Agida Koçi: Nuk ka asnjë filter në TikTok? Se për shembull, në Instagram, në Facebook, që jam edhe përdoruese, e di që ka disa rregulla dhe kur poston ndonjë gjë, madje dhe ndonjë foto që nuk e quajnë njerëzit nuditet për shembull, Instagram-i ka disa rregulla të vetat që i quan në të tillë formë.

Denisa Kele: TikTok-u jo dhe kjo ka qenë një ndër problemet që Kongresi Amerikan ka shpalosur para tre javësh, ku ka mbledhur të gjitha kokat e mediave bashkë, duke i treguar edhe statistikat e fundit që kanë dal në raport me fëmijët. 1 në 4 fëmijë është me depresion vetëm nga mediat sociale; 1 në 25 fëmijë ka tentuar së paku njëherë të kryej vetëvrasje, vetëm nga bullizimi social i mediave, kibernetik, pra i mediave sociale. Dhe praktikisht, ekspozimi që ne mund t’i bëjmë fëmijëve në median sociale, padyshim që mund të jetë viktimë e një bullizimi kibernetik dhe padyshim që nesër, ne mund ta çojmë fëmijën që të jetë viktimë totalisht e këtij tregu digjital edhe social, deri në vetëvrasje apo siç kanë qenë rastet me precedentë edhe në Amerikë. Për fat të keq, TikTok-u është një platformë e cila nuk ka filtra.

Avokati: Çdo shpërndarje e videove seksuale është e dënueshme

/tvklan.al