U denoncua nga Stop për ndryshimin e datës së skadencës, bllokohen produktet

Pas denoncimit në emisionin investigativ “Stop” ne TV Klan policia ka vënë në pranga pronarin e subjektit “Saranda Al” Mihal Kote.

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me AKU-në, arrestuan 62-vjeçarin, pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektin e tij tregtar u konstatua se Kote kishte ndryshuar datat e skadencës të disa produkteve që prodhonte.

Ai kishte paraqitur etiketa të rreme të disa produkteve ushqimore që shiste dhe disa produkte të tjera i kishte të pa pajisura me fatura tatimore me TVSH.

Një ish-punonjëse e këtij subjekti tregoi për emisionin “Stop” se gjithçka aty ishte e falsifikuar dhe jashtë standardeve të konsumit. Në ambientet e këtij subjekti mblidhej vaj luledielli i skaduar, pa etiketë dhe ri-ambalazhohej me etiketë të re nën emrin “Saranda Al”.

Po kështu kaçkavalli i grirë prodhohej nga djathi i mykur, që pastrohej e grihej, për t’u rihedhur në treg nga “Saranda Al”. Pas transmetimit në “Stop, ka reaguar AKU, duke bllokuar 10 tonë vaj, 400 kg kaçkavall, 4 tonë djathë të bardhë, 300 kg salcë kosi e 200 kg reçel fiku.

Emisioni Stop denoncoi mbrëmjen e së martës rastin se si ky subjekt tregtar vajin e sallatës e shiste për vaj ulliri, kur në të vërtetë përzihej me ngjyrues dhe kimikate të tjera.

Për të vërtetuar këto të dhëna, Stop publikoi pamjet e kamerave të fshehta nga brenda magazinës së “Saranda Al”, ku dukej i gjithë procesi, si dhe pronari Mihal Kote që udhëzonte punëtorët se si të vepronin.

Klan News