Qani Zili, një 55-vjeçari  cili po transportonte vlera monetare nga një pikë e këmbimit valutor ka rënë preh e një grabitjeje nga dy persona të cilët nën kërcënimin e një sqepari i kanë rrëmbyer çantën me para.

Dy autorët ende të paidentifikuar kanë patur informacion për lëvizjet e transportuesit të lekëve dhe e kanë pritur 55-vjeçarin pranë një karburanti në rrugën e Kavajës. Menjëherë sapo grabitësit konstatuan Zilin duke udhëtuar me motor dhe çantën e parave, njëri prej tyre me sqepar i është afruar, ndërsa autori tjetër priste në motorin pa targa.

Sapo morën çantën e parave, ata kanë tentuar të largohen me motor, por janë përplasur me një automjet dhe janë larguar në këmbë.

Shërbimet e policisë u vunë në ndjekje të autorëve, të cilët dyshohen se janë ndihmuar dhe nga një i tretë.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje pronarin e pikës së këmbimit valutor dhe 55-vjeçarin, të cilët kane deklaruar se u është marrë shuma prej 300 mijë lekësh.

Autorët e grabitjes kanë qenë të maskuar, por gjatë vjedhjes njërit prej tyre i ka rënë kaska mbrojtëse e motorit që mbante. Përshkrimi i tij është dhënë nga 55-vjeçari Zili punonjësve të policisë.

Këta të fundit kanë nisur me këqyrjen e kamerave në vendin e ngjarjes, por dhe të bizneseve përreth për të gjurmuar lëvizjet e dy autorëve të grabitjes. Gjithashtu hetuesit kanë marrë dhe kamerat e pikës së këmbimit valutor, për të mësuar nëse transportuesi i parave është mbajtur në vëzhgim nga persona të tjerë.

Klan News