“Hyjmë në histori si viti ku hapim 10 shkolla të reja”

Për herë të parë shkollat në kryeqytet do të kenë një administrator për mirëmbajtjen. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një takimi që zhvilloi me drejtuesit e shkollave ku e pranishme ishte dhe ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

“Kemi zyrtarizuar një rol të ri, që është roli i administratorit të shkollës. Nuk ka më asnjë arsye pse drejtori i shkollës të merret me menaxhimin. Po ashtu edhe mësuesit mund të fokusohen vetëm te mësimi”

Veliaj u ndal tek 10 shkollat e reja që hapin dyert në 27 Shtator.

“Kur mendoj vitet e para në bashki, hapëm vetëm shkollën “Servete Maçi” si ndërtesë e re dhe na dukej një gjë shumë e madhe.

Tani, me shkollat që hapim në shtator, do hapim edhe katër të tjera në tetor, kurse pjesën tjetër në Janar, besoj se do hyjmë në histori si një ditë ku e kthyem fatkeqësinë e tërmetit në mundësi për të bërë shkolla”.

Siguria në shkolla ishte një tjetër pikë për të cilën Veliaj tha se do të rritet dhe disa rrugë afër shkollave gjatë orarit mësimor do kthehen në pedonale.

Tv Klan