Kombëtarja e meshkujve mundet nga Bjellorusia

Shqipëria e nisi me humbje fushatën parakualifikuese të Eurobasket 2021. Kombëtarja e meshkujve e drejtuar nga Afrim Bilali u mund me rezultatin 73 – 51 nga Bjellorusia të shtunën në Tiranë. Gjysma e parë e ndeshjes ishte e mirë për kuqezinjtë që pas pushimit ranë fizikisht.

Dy periodat e para luajtëm shumë mirë, masat që kishim marrë ndaj Bjellosurisë fuksionuan si në mbrojtje dhe në sulm, mirëpo gjendja fizike e lojtarëve ndikoi negativisht në periodën e tretë dhe katërt, nga lodhja gabuam taktikisht si në sulm dhe në mbrojtje”, tha Afrim Bilali.

Gjithsesi, Afrim Bilali beson se skuadra që ka në përbërje lojtarë të rinj do të përmirësohet nëse projekti i federatës mbështetet siç duhet. Më i miri në fushë për Kombëtaren ishte amerikani i natyralizuar shqiptar Dallas Moore. Shënuesi i 16 pikëve shpreson që në ndeshjen e radhës ajo që do të luhet më 10 Gusht Kopenhagen ndaj Danimarkë të ketë një tjetër rezultat.

“Danimarka është një ekip i fortë dhe me lojtarë të zotë të cilët luajnë në skuadra të mira. Ne duhet të përgatitemi dhe të kemi fat, të shohim si do të shkojë”, u shpreh Dallas Moore.

Vetëm fituesi i grupit siguron pjesëmarrjen në fazën kualifikuese të Eurobasket 2021.

Tv Klan