Presidenca kroate e Bashkimit Evropian ka propozuar sot në një draft çeljen formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por me një dallim, ndaj Tiranës zyrtare janë deklaruar disa kushte paraprake përpara se negociatat të nisin zyrtarisht.

Gjermania, Holanda, Franca dhe Danimarka bashkohen në një pikë kryesore që ka të bëjë jo vetëm me miratimin me konsensus të Reformës së re Zgjedhore por zbatimin e saj në praktike.

Ndër kushtet e tjera që të mundesohej mbajtja pas disa muajsh e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri, është edhe vënia në funksionim të plotë e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë si dhe të Prokurorisë Speciale dhe BKH-së.

Ndër kushtet e tjera specifike, Holanda ka theksuar ndryshimet në ligjin për median, për të cilin pritet opinion i Komisionit të Venecias, ndërsa Greqia këmbëngul tek rishqyrtimi i ligjit për pronat në bregdet dhe për vetëdeklarimin e popullsisë, sidomos në zonat e minoritetit.

Një tjetër kusht nga Holanda është ai për ndalimin e pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i drogës në mënyrë që ato të mos përdoren lirisht në Shqipëri. Parashikohet se Shqipërisë i duhet të paktën 1 vit për çeljen zyrtare të negociatave nëse kushtet e parashikuara do të zyrtarizohen më 24 Mars nga ministrat e Jashtëm.

Klan Plus