Ditën e sotme kemi një lehtësim të masave të izolimit. Pas dy muaj e gjysmë, janë hapur baret dhe restorantet.

Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli intervistën me sipërmarrësen Iva Mera. Ajo foli për kriteret që do zbatohen, si dhe mënyrën e shërbimit në bare dhe restorante në kushtet e reja.

Iva Mera: Ne kemi patur kohë rreth 10 ditë në mos gaboj, kur ka dalë portokolli që përfshin një sërë kushtesh dhe elementësh, që ne si biznese duhet t’i plotësonim për t’i rihapur. Kemi patur kohën e nevojshme për t’i realizuar. Tani jemi gati. Sot është dita e parë. Në fakt, mua më duket sikur kemi patur shkëputje më të madhe se sa dy muaj. Ndoshta kjo shkëputja na bëri që të rikthehemi paksa me vështirësi. Nuk janë vetëm këto protokollet dhe rregullat që ti shikon, janë edhe disa rregulla të tjera, që janë të pashkruara, por që duhet t’i kemi parasysh ne si sipërmarrës.

Gazetarja: Që do të thotë?

Iva Mera: Që do të thotë në lidhje me stafin, pra nëqoftëse stafi duhet të jetë prezent në punë, ne duhet t’i bëjmë një check-in paraprakisht: temperatura, gjendja. Ndërkohë gjithashtu janë edhe distanca që duhet të mbaj unë si sipërmarrëse me stafin, stafi me njëri-tjetrin e kështu me rradhë. Edhe tavolinat që duhet të kenë një largësi ndërmjet njëri-tjetrit.

Më tej, Iva shton se mjaft i rëndësishëm është edhe pastrimi dhe dezinfektimi, pasi klientët largohen nga tavolina. Sipas saj, sot si ditë e parë pas hapjes, numri i klientëve është shumë i pakët.

Iva Mera: Jam përpjekur të minimizoj pak numrin e stafit. Sot është dita e parë dhe ti e shikon që nuk ka një bum klientele.

Gazetarja: Janë pak të stepur?

Iva Mera: Janë të stepur, padiskutim janë të frikësuar. Normalisht edhe njerëzit kanë filluar atë rutinën, janë mësuar me atë rutinën. Frika e dyndjes së madhe, frika se mos ne si sipërmarrës nuk marrim masat e caktuara, i ka bërë klientët që mos ketë një dyndje të jashtëzakonshme. Shiko sa është ora tani dhe normalisht në një ditë normale, sot duhet të ishte plot lokali, por ti e shikon që ka shumë pak klientë. Automatikisht kjo na jep ne dorë, që mos kemi numër shumë të madh stafi, kamarierë dhe banakierë, nuk kemi pse shtojmë popullimin./tvklan.al