Kryeministri Edi Rama i shtriu dorën e bashkëpunimit Partisë Demokratike pas fitores së mandatit të tretë qeverisës në zgjedhjet e 25 Prillit. Por si e komenton ambasadorja amerikane Yuri Kim një deklaratë të tillë dhe mundësinë e një qeverie me bazë të gjerë?

E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ambasadorja e SHBA thotë se kjo është zgjedhje e partive politike dhe janë ato që vendosin.

Por thekson se nga Parlamenti i ri që do të mblidhet në Shtator kur fillon sesioni i ri, ka pritshmëri të mëdha.

Blendi Fevziu: Pas zgjedhjeve, kam parë Kryeministrin Rama ose kreun e PS Rama që kërkon bashkëpunim me PD. E fton PD për një bashkëpunim të madh, pa kufi, siç thotë ai. Mendoj se përfshihet një qeveri e madhe, një qeveri me pjesëmarrjen e PS dhe PD. Çfarë mendoni për këtë ide?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është diçka që duhet ta diskutojnë vetë partitë mes tyre dhe të vendosin.

Blendi Fevziu: Po për komunitetin ndërkombëtar, si do shihej një qeveri e madhe?

Ambasadorja Kim: Mendoj se janë partitë që e vendosin.

Blendi Fevziu: Nuk përbën ndryshim për imazhin e Shqipërisë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se janë partitë që e vendosin.

Blendi Fevziu: Dhe, cilat janë pritshmëritë tuaja nga parlamenti tjetër?

Ambasadorja Kim: Pritshmëria nga parlamenti tjetër është…

Blendi Fevziu: …është shumë më i balancuar tani…

Ambasadorja Kim: Është i balancuar dhe është i plotë dhe kjo është vërtet me rëndësi. Shiko, Shqipëria ka shumë gjëra të rëndësishme në horizont. Ka zhvillime, ka hapa që duhen ndërmarrë. Partia Socialiste si dhe Partia Demokratike kanë qenë të rëndësishme. Kanë luajtur një rol kyç në disa nga çastet më historike për Shqipërinë…

Blendi Fevziu: Disa nga më të rendësishmet…

Ambasadorja Kim: …saktë, disa nga më të rëndësishmet…

Blendi Fevziu: …rënia e komunizmit, anëtarësimi në NATO…

Ambasadorja Kim: …e saktë…

Blendi Fevziu: …heqja e vizave …

Ambasadorja Kim: Kur shoh për shembull Partinë Demokratike, arsyeja pse e festoj kthimin e tyre është që ata përfaqësojnë një pjesë të rendësishme të elektoratit. Por më shumë se kjo, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipëriaë. Dhe, akoma më e rëndësishme, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të së ardhmes së Shqipërisë. Pra, ashtu si PD ishte në krye të tranzicionit të Shqipërisë nga diktatura në demokraci; siç ishin në krye të anëtarësimit në NATO, tani janë gati për të luajtur një rol të rëndësishëm për ta çuar Shqipërinë plotësisht në familjen europiane, pra ky është lajm i mirë. 

Blendi Fevziu: Ambasadore Kim, nëse ju kërkoj një këshillë për Ramën dhe për Bashën, cila do ishte? Së pari, për Ramën.

Ambasadorja Kim: Nuk kam ndonjë këshillë.

Blendi Fevziu: Jo?

Ambasadorja Kim: Jooo…

Blendi Fevziu: As për Bashën?

Ambasadorja Kim: Jooo… E di që doni të jap këshilla personale por detyra ime është të përfaqësoj pikëpamjet e vendit tim dhe të presidentit tim.

Blendi Fevziu: Çdo deklaratë që bëni është pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, politika zyrtare?

Ambasadorja Kim: E bëj shumë të qartë nëse jam duke folur në mënyrë joformale apo personale, por, po, detyra ime është të flas në emër të Shteteve të Bashkuara.

Blendi Fevziu: Kam parë disa ditë më parë, le të themi dy ditë përpara fushatës zgjedhore, një fjalim nga Elez Biberaj, një nga zyrtarët e lartë të VOA. Tha se nëse Rama fiton zgjedhjet, do të ketë një hendek në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Është e vërtetë?

Ambasadorja Kim: Mendoj që secili ka të drejtë të ketë opinionin e vet. Ai po fliste në cilësinë e tij si…

Blendi Fevziu: A është pikëpamja zyrtare e Shteteve të Bashkuara?

Ambasadorja Kim: Jooo…

Blendi Fevziu: Jo?

Ambasadorja Kim: Hajde tani! Ju e njihni realitetin këtu. I vetmi ent që flet në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri është Ambasada e SHBA. Kaq.  /tvklan.al