Çfarë shkon më shumë me stinën e Verës, diellin, detin dhe relaksin? Një libër i mirë. Për të gjithë ju që po kërkoni një sugjerim të mirë për librin tuaj të radhës për të kaluar orët në plazh dhe për të qenë në shoqëri të mirë, të ftuarit e sotëm në emisionin “Rudina” në Tv Klan sollën titujt e librave të tyre të preferuar.

Lexuesit në periudhën e Verës kërkojnë më tepër libra të thjeshtë, me më pak koncepte, libra “limonatë” që i përshtaten lehtësisë së stinës, ndërsa të tjerë përpiqen të lexojnë çfarë nuk mundën të lexojnë gjatë pjesës tjetër të vitit. Në artikullin e mëposhtëm, do të gjeni tituj librash për secili zhanër të preferuar.

Aktori Kristian Koroveshi dha i pari sugjerimin e tij, një libër nga shkrimtari i njohur shqiptar, Mitrush Kuteli “E madhe është gjëma e mëkatit”.

Kristian Koroveshi: Unë kam zgjedhur një nga librat e mi më të preferuar, nuk është limonatë, është një nga librat që mendoj se te unë ka lënë mbresë në ndryshimin e koncepteve të jetës. Është “E madhe është gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit. Është një kryevepër e letërsisë shqiptare që unë besoj dhe lus që të përkthehet në gjuhë të botës.

Subjekti i saj është i jashtëzakonshëm, është sa njerëzor, sa tokësor, aq hyjnor. Në qendrën e saj është një prift, Tat Tanushi i cli dashurohet me një vajzë që ka ardhur anash Ilirisë së largët, Kalia. Ai e pagëzon në kishën ortodokse dhe martohet me të. Dashuria e tij për Kalian është e jashtëzakonshme. Ai kryen në të njëjtën kohë edhe shërbesat kishtare, ka një dashuri të jashtëzakonshme dhe dedikim hyjnor, por edhe dashurinë tokësore për Kalian.

Në një moment Kalia sëmuret dhe rruga e saj për të kaluar nga jeta në vdekje fillon dhe shkurtohet. Tat Tanushi tregon si e sheh në ëndërr Kalien e vdekur dhe si e përshkruan të vendosur në mes të kishës, të veshur me të bardha dhe për të këndonte këngët e Solomonit vetë Krishti në qendër të altarit.

Nuk i këndonin as priftërinjtë, as njerëz të tjerë, por vetë Krishti. Kaq e shenjtë ishte Kalia për Tat Tanushin. Kur ajo ikën nga kjo botë, kaq të vështirë e kishte Tat Tanushi ta pranonte largimin e Kalies. Ai nuk e vendos në një arkivol, por mbi disa lule të bardha dhe kërkon që herë pas here të shkojë ta hapë vendin ku ajo është çuar për të fjetur.

Kur ai më pas fillon të rikryejë shërbesat kishtare, mendon gjithë kohën për Kalien derisa në një moment tjetër fillon ta himnizojë atë duke ndjekur portrete e ikona me fytyrën e saj derisa dikush shkon në shtëpinë e Tat Tanushit që të blejë disa prej skulpturave të vogla të Kalies, të cilën ai e ka bërë thuajse një figurë të gjallë njerëzore.

Ai kryen një mëkat të mishit me gruan që i shkon në shtëpi dhe përshkrimi i Kutelit është i jashtëzakonshëm “Dhe bota u shemb me zhurmë të madhe dhe ranë gjithë faltoret, ranë gjithë kryqet sepse Tat Tanushi kreu mëkatin e madh të mishit”. Pas këtij momenti, ai shkon të kryejë shërbesat dhe zëri i tij nuk shkon drejt të lartëve, por zbret në Tokë. Ai i bën një thirrje figurës hyjnore, i thotë “I denjë?” dhe i përgjigjet “I padenjë”.

Anjola Hamzai, spikere e lajmeve në Tv Klan sugjeroi librin “Fëmija i pestë” nga Doris Lessing.

Anjola Hamzai: Është libër i shkurtër, por që më ka tronditur vërtet dhe nuk është për Verën. “Il fu Maria Pascal” i Luigi Pirandello-s, është në shqip, por unë nuk e kam gjetur. Është i jashtëzakonshëm sepse është një rrëfim shumë i bukur i një njeriu që i shpëton, shmanget, arratiset realitetit duke u deklaruar i vdekur sepse pa një njoftim në gazetë që kishin ngatërruar një viktimë dhe e gjeti si rrugë për t’i shpëtuar jetës së vështirë.

Por pa identitet, jeta nuk ka asnjë kuptim dhe një moment, rikthehet që t’i rikthehet jetës së vet dhe bën një bashkëbisedim me veten e tij dhe veten që kishte krijuar. Është i jashtëzakonshëm, është një filozofi jete, jua sugjeroj të gjithëve. Për Verën, sugjeroj Kunderën me “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, ka dashuri, tradhti, filozofi, në këtë libër është shkëputur nga komunizmi.

Ka ngjashmëri me Kadarenë dhe me disa nga librat e tij ka treguar që talenti i tij shkonte përtej realitetit që ai ka jetuar në periudhën komuniste. “A është vallë njeriu?” i Primo Levit më ka tronditur për moshën, e ka shkruar 24 vjeç, pavarësisht se ishte eksperiencë personale e tij, e jetuar në Aushvic në kampet e hebrenjve, duhet një talent shumë i madh të shkruash në atë stil.

Ka një autoironi, lehtësi në disa momente. “Një burrë” i Oriana Fallaci-t sepse filozofia e turmave aty është shkruar në mënyrën më të butë, më femërore dhe vërtet kupton shumë, përveç linjës së dashurisë.

Ana Shkreli, drejtuesja e shtëpisë botuese “Berg” solli një tjetër sugjerim interesant, një libër me poezi.

Ana Shkreli: Unë kam zgjedhur “Antologji e poezisë bashkëkohore greke”. Gjykoj që poezia lexohet gjithmonë, varet nga gjendjet shpirtërore, gjatë Verës mund të bësh një lexim fragmentar dhe shërben si mantra. Janë 30 autorë, ka edhe 2-3 patriarkë të poezisë greke, por përgjithësisht janë të rinj. Nuk përfshin vetëm Greqinë, por rininë e shekullit XXI. Një pjesë janë poezi dashurie, por ka edhe poezi nga kriza e 2008, nga refugjatët.

Blogerja e një faqeje librash në Instagrm, “jovetëmlibra”, Xhorxhina Ruçi, solli sugjerimin e saj, një kryevepër të vjetër, “Lëkura e Shagrenit” nga Honore de Balzak.

Xhorxhina Ruçi: Unë personalisht e dua shumë Balzakun sepse është njohës i thellë i realitetit dhe e prek në skutat më të errëta. Është një libër i cili ka në thelb historinë dhe tragjedinë e njeriut të thjeshtë, që është i detyruar të punojë dhe gjendet në një moment në konflikt me veten “Çfarë po bëj me jetën?” dhe kërkon të pasurohet për të pasur nivelin e aristokratëve.

Kjo ndodh edhe sot pasi njerëzit kërkojnë me ngulm të pasurojnë xhepin, por jo shpirtin. Në një moment depresiv, kërkon të vrasë veten, por gjen një talisman, lëkurën e Shagrenit që i realizon çdo dëshirë që ai shpreh. Për çdo dëshirë, atij i tkurret lëkura, por edhe jeta.

Libra të tjerë që të ftuarit sugjeruan për Verë, libra të thjeshtë, të cilësuar “limonatë”:

“Delikatesa”, David Foenkinos

“Dashuria në kohërat e kolerës”, Gabriel Garcia Markez

“50 hijet e Greit”, E.L James

“Pachinco”, Min Jee Lee

“Parajsë sigurie”, Nicholas Sparks

“Thuaji zemrës po”, Sussana Tamaro

“Edhe një ditë më shumë”, Fabio Volo./tvklan.al