Epidemiologët: Përdorni maskat në ambiente të mbyllura

Koronavirusi ka shënuar një tjetër viktimë mëngjesin e të mërkurës, duke e çuar në 38 numrin e jetëve të humbura nga pandemia në vendin tonë. Një 82-vjeçare nga Tirana ka ndërruar jetë pas disa ditëve në terapi intensive.

“Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 53 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 janë të intubuar”.

Epidemiologët argumentojnë se rritja e rasteve në javën e fundit vjen si pasojë e mosrespektimit të rregullave anti-covid.

“Krahas të prekurve që janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, kemi dhe transmetim komunitar në disa bashki të vendit. Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 50 raste pozitive, 12 raste në Shkodër, 11 në Tiranë, 7 në Vlorë, 6 në Krujë, 5 në Korçë, 4 në Durrës, nga 2 raste në Pukë dhe Kurbin dhe 1 rast në Lushnje”.

Që prej fillimit të epidemisë janë prekur 1722 persona, 608 prej të cilëve janë ende aktivë. Duke analizuar situatën, epidemiologët thonë se përdorimi i maskave është domosdoshmëri.

“Vendosini ato kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh”.

Një apel u drejtohet edhe familjarëve të pacientëve, të cilët duhet të shmangin vizitat e panevojshme në spitale, të cilat së fundi janë vatra kryesore e infeksionit.

Tv Klan