Manastirliu: Gati ekipi i përbashkët shqiptaro-turk

Spitali Memorial i Fierit do të çelë dyert këtë të enjte. Lajmin e bëri të ditur ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë takimit që pati në këtë spital me stafin e përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.

“Do të jetë një hapje graduale, me faza, duke filluar nga shërbimi i urgjencës.  Gradualisht fillojmë vëmë në funksion këtë spital, këtë vepër të madhe të premtuar për ofrimin e shërbimeve cilësore në nivel terciar”.

Shërbimet në këtë spital do te jenë sipas sistemit të referimit. Ai do t’u shërbejë qytetarëve te tre rajoneve të jugut.

“Të gjithë qytetarët e rajonit të jugut, nëpërmjet sistemit të referimit me urgjencën kombëtare do të marrin shërbim të nivelit terciar në këtë spital, edhe rastet e referimit të urgjencës do të bëhen nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Urgjencës, por edhe rastet e ndërhyrjeve apo ekzaminimeve apo konsultave dhe shtrimeve të planifikuara do të bëhen vetëm me referimin e mjekëve të spitaleve rajonale, spitaleve terciare, apo spitaleve bashkiake kur nuk ofrohen këto shërbime në spitalet rajonale”.

Spitali do të menaxhohet nga një staf i përbashkët shqiptaro-turk dhe do te ofroje shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.  Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Tv Klan