Viktima të tregtarit të domateve, i japin mallin e nuk marrin lekët.

Një grup fermerësh nga fshati Mollas i Cërrikut tregojnë në “Stop”, sesi ranë pre e mashtrimit nga ana e tregtarit Emiljano Shaqelli. Ata i kanë shitur atij domatet, që në vitin 2016, por paratë nuk i kanë marrë akoma. Sa herë interesohen, Emiljano i shtyn afatin për dhënien e parave.

Fermerët kanë bërë kallëzim në prokurorinë e Lushnjes dhe akt-marrëveshje noteriale, por detyrimet sërish nuk po i marrin.

Fermeri 1: Në 2016 ramë pre nga zotëria Emiljano Shaqelli, dorëzuam mallin në Lushnje dhe nga ajo ditë nuk kemi marrë Lekët. Sot për nesër, sot për nesër kaluan 2 vite. Vitin e fundit kemi tentuar dhe nuk hap telefonin. E marrim sërish dhe thotë, sot për nesër. Nga ajo ditë nuk kemi marrë më asnjë përgjigje dhe ne jemi pre e mashtrimit. Shkuam në vitin 2017 në Lushnje dhe bëmë një kallëzim në komisariat, erdhi zotëria, e shoqëroi policia, bëmë një akt marrëveshje, ramë në ujdi. “Unë këtyre fermerëve të fshatit Mollas, u kam shumën prej 70 milionë Lekë të vjetra. Shkuam tek një noter në Lushnje dhe bëmë një akt marrëveshje dhe deri në 31 Dhjetor i 2017, duhet të na jepte Lekët. Nga kjo datë, vetëm me fjalë të bukura, sot për nesër dhe jemi përsëri në qiell të hapur. Nuk na përgjigjet. Kemi faturat, kemi bërë dhe akt noterial dhe zotëria nuk na përgjigjet.

Gazetarja: Çfarë hapash keni marrë të tjerë, pasi kaloi afati i përcaktuar në aktin noterial?

Fermeri 2: Pasi mbaroi ky muhabet me Lushnjen, disa çuna nga ne, shkuan në Elbasan dhe morën një avokat, ai na tha se do e zgjidhi çështjen.

Gazetarja takohet me avokatin.

Avokati: Është titull ekzekutiv quhet dhe nëpërmjet gjykatës, duhet të ishte bërë urdhër ekzekutimi, por Gjykata e Tiranës e Shkallës së Parë, e ka rrëzuar dhe tani ndodhet kërkesa në Apel dhe po pritet të gjykohet në Apel.

Avokati: Shkalla e Parë e ka rrëzuar kërkesën për urdhër ekzekutimi, thotë që nuk është titull ekzekutiv dhe duhet t’i drejtohet gjykatës, për ta bërë me gjyq themeli, më kupton? Gjyqi i themelit është gjyq, që zgjat shumë dhe realisht ajo është deklaratë noteriale e njëanshme, ku ai ka pranuar detyrimin, që i ka palëve. Më kupton? Këto janë rrugë gjyqësore, që po ndiqen.

Gazetarja: Apeli mund të shkojë shumë gjatë.

Avokati: Ky është urdhër ekzekutimi dhe normalisht duhet të kishte dalë, sepse është gjyq, që gjykohet më shpejt nga gjyqet e tjera, nuk është gjyq civil themeli.

Avokati: Por tani do presim gjykatën, nuk kemi çfarë të bëjmë, nuk dalim dot mbi gjykatën.

Pas fermerëve dhe avokatit të tyre, Erind Nanushi, tregtari Emiljano Shaqelli, bën të njëjtën sjellje edhe me gazetaren e “Stop”. Premton ta sqarojë për 30 minuta, se është në gjumë, por nuk “nuk zgjohet më kurrë”.

Gazetarja: Alo, përshëndetje?

Tregtari: Përshëndetje! Si kaloni?

Gazetarja: Emiljano Shaqelli?

Tregtari: Po!

Tregtari: Kam në zvarritje një detyrim, që kam lekë pa marrë në Bullgari.

Gazetarja: Çfarë lidhje kanë zotërinjtë me detyrimin, që keni ne Bullgari. Nuk keni paguar për atë prodhim, që keni marrë.

Tregtari: Janë paguar një pjesë e mirë.

Gazetarja: Ju keni pranuar para një noteri, që keni detyrimin 70 milionë lekë ndaj tyre.

Tregtari: Po nuk është aq shumë moj, po të them, që një pjesë kanë marrë. Do të sqarohemi për gjysëm ore, sa të ngrihem unë nga gjumi.

Gazetarja: Ku e provoni, që i kanë marrë një pjesë?

Tregtari: Po ata, që e kanë marrë zotërinjtë, t’i ballafaqojmë kush ka marrë, disa nuk kanë marrë fare.

Gazetarja: Ku jeni ju, që të takohemi nga afër?

Tregtari: Unë tani jam në gjumë, për gjysëm ore, sa të ngrihem, do të marr në telefon dhe flasim, takohemi, në Tiranë.

Gazetarja: Në Tiranë?

Tregtari: Po!

Gazetarja: Ok! Takohemi në Tiranë atëherë!

Fermeri: Ai do flejë gjumë ne do rrimë, në nuk duam gjumë, ne kemi fëmijët pa bukë dhe do të rrimë të torturohemi. Ai duhet të flejë gjumë… ai është i qetë. Ne që punojmë jemi borxhlinj.

Pasi erdhi në Tiranë gazetarja e telefoni sërish Emiljano Shaqellin, por ai vendosi të mos përgjigjej. Fermerët janë ende në pritje për të marrë Lekët.

Policia shqiptare nuk njeh marrëveshjen me Kosovën: Njohim kodin e Ramës.

Një drejtues automjeti ankohet në “Stop”, se policia në Shqipëri e gjobit për kalimin tranzit Shqipëri-Kosovë, edhe pse ka një marrëveshje mes dy vendeve që nga qershori 2016.Në një video, shoferi debaton me shefin e policisë dhe i tregon marrëveshjen, por ky i fundit thotë, se njeh vetëm kodin rrugor të Edi Ramës.Madje njëri prej shoferëve thotë, se është bombarduar me gjoba, edhe pse ka fituar edhe me vendim gjykate.Për këtë rast, i jemi drejtuar Ministrisë së Infrastukturës dhe Energjisë dhe morëm përgjigjen, se kompetenca për licensat e linjave të trasportiti i ka kaluar Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.Ndërsa kjo e fundit thotë, se në linjën në fjalë duhet të ketë vetëm një operator…?!

3 vjet stop,shtëpi të ndërtuara e njerëz të ndihmuar.

Emisioni “Stop” mbush sot 3 vjet transmetim dhe plot 683 programe të përnatshme. Në këtë pjesë sjellim disa nga momentet më kulmore të solidaritetit. Shumë familje në kushte ekstreme janë bërë me shtëpi të re, falë kontributit të emisionit “Stop”, fondacionit “Fundjavë ndryshe” , “Balfin grup” e donatorëve të tjerë. Ju sjellim një përmbledhje të këtyre momenteve të familjeve Qershori, Tuci, Buci, Zaimi, Bilali e shumë të tjera, që u ka ndryshuar jeta.