Dy të rinj italianë, prej 10 muajsh kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri. Në një video të publikuar në rrjetin social Tik Tok e më pas të ripostuar nga kryeministri Edi Rama në Facebook, ata ndajnë përshtypjet për vendin tonë.

Me ironi, kreu i qeverisë i cilëson, dy patronazhistë të maskuar si italianë, të cilët i përshkruajnë thjesht e qartë Shqipërinë e ne shqiptarët.

“Një ndër ato që adhuroj më shumë është siguria me të cilën mund të jetohet në këtë vend. Asnjë nuk të thotë gjë, të gjithë merren me punët e tyre, të gjithë të lumtur e të kënaqur.”

“Një tjetër gjë që më pëlqen më shumë është që Shqipëria është një kombi mbushur me vende të paprekura nga njeriu dhe në fakt ne kemi dalë pak nga Shqipëria këto muaj, pikërisht sepse kemi vizituar shumë vende të bukura.”

Një tjetër gjë që u ka lënë mbresa të rinjve është ushqimi.

“Gjëja që adhuroj është ushqimi në Shqipëri. Në dyqan mishi i freskët, peshku i freskët, perimet e freskëta. Kaluan vite dhe rizbulova shijet e vërteta.”

Por ata thonë edhe gjërat që nuk pëlqejnë në vendin tonë.

“Një gjë që nuk e duroj është që nuk ndaleni te vizat e bardha. Unë mund të jem kaq afër, por ende nuk ndalesh. Më mirë më shkel.”

“Një gjë tjetër që nuk më pëlqen janë ata persona që janë transferuar shumë vite më parë nga Shqipëria në Itali që flasin keq për këtë vend, ose flasin për gjëra që kanë jetuar 20 vite më përpara. Tani situata është krejtësisht ndryshe dhe nuk duan ta kuptojnë”.

“Një gjë që nuk na pëlqen është që ndonjëherë jeni shumë hatërmbetës, sidomos kur në realitet nuk është kritikë, merret njësoj personalisht”.

Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë po vijon të shënojë rritje, ndërsa shumë prej tyre po e shohin vendin tonë edhe si vendbanimin e tyre për vitet e ardhëshme, duke zgjedhur qytete si Tirana, Durrësi, Vlora apo Lezha.

Klan News