Policia e Tiranës ka dhënë informacion për magazinën e zbuluar mëngjesin e kësaj të enjteje në Tiranë, e cila ishte përshtatur për kultivimin e kanabisit. Bëhet fjalë për një objekt të vjetër dykatësh në zonën e Selitës, dikur shtetëror, por që policia thotë se është privatizuar. Brenda saj, autoritetet zbuluan vazo plastike ku ishin kultivuar 105 bimë kanabisi.

“Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave. Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa”, thotë policia në një njoftim.

Për rastin janë shoqëruar disa persona, ndërsa hetimet vijojnë.

“Për rastin janë shoqëruar në ambientet e Policisë, disa shtetas, ndërkaq një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, rrethanat. Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast”, thotë policia e Tiranës në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al