“Singapore Airlines” ka ofruar kompensim për pasagjerët që u lënduan muajin e kaluar gjatë një fluturimi Londër-Singapor që pati turbulenca të forta. Si pasojë u plagosën dhjetëra persona dhe një 73-vjeçar ndërroi jetë nga ataku në zemër.

Pasagjerëve që kanë pësuar dëmtime të lehta u është ofruar secilit 10 mijë Dollarë kompensim, ndërsa ata që morën lëndime të rënda gjatë turbulencave, janë ftuar të diskutojnë një ofertë. Lajmin e bëri të ditur kompania në një postim në Facebook.

“Të vlerësuar nga pikëpamja mjekësore, pasagjerëve që kanë pësuar lëndime të rënda dhe që u duhet një kujdes mjekësor afatgjatë u ofrohet një paradhënie prej 25 mijë Dollarësh për të adresuar nevojat e tyre të menjëhershme. Kjo do të jetë një pjesë e kompensimit që do të marrin këta pasagjerë”, shtoi kompania ajrore në njoftim.

Përveç kësaj, të gjithë pasagjerëve në fluturimin e 20 Majit nga Londra në Singapor do t’u rimbursohet kostoja e biletave të tyre. Më herët, Drejtori i Përgjithshëm i “Singapore Airlines”, Goh Choon Phong u kërkoi falje të gjithë të prekurve nga fluturimi Londër-Singapor./tvklan.al