Ivica Daçiç i shpëtoi një sulmi terrorist në Somali, ku ndodhej për një vizitë zyrtare.
Një makinë bombë shpërtheu fare pranë pallatit presidencial në kryeqytetin Mogadishu, në momentin kur Ministri i Jashtëm serb po takohej me Presidentin e vendit afrikan.
Sipas agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, Presidenti somalez kishte kërcyer nga divani. Por Daçiç i kishte thënë se ai është mësuar me bombardime, pasi Serbia është bombarduar nga NATO.
Të paktën 9 persona mbetën të vdekur dhe 10 të tjerë u plagosën, mes tyre edhe ish-Ministri i Jashtëm i Somalisë. Sulmi është marrë përsipër nga grupi terrorist Al Shabab.
Kryediplomati serb njoftoi se është mirë, por tha i kishte shpëtuar për pak atentatit. Mirëpo fati i keq e ndoqi edhe pasi la Somalinë. Avioni i Daçiç pësoi defekt dhe bëri ulje të detyrueshme në Athinë. Ivica Daçiç ishte në Somali në vijim të fushatës së Serbisë në Afrikë, për tërheqjen e Pavarësisë së Kosovës.
Tv Klan