Opozita proteston duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë

Në Maqedoninë e Veriut, nga e Hëna e deri të Premten, janë shënuar 4.069 raste të reja me COVID-19 dhe 160 viktima. Në total shënohen afro 146 mijë raste dhe 4.388 viktima.

Paralelisht shifrave të larta të infektimeve ditore dhe rasteve që përfundojnë me fatalitet, autoritetet e shëndetësisë thonë se po ulet presioni ndaj sistemit shëndetësor, falë masave shtrënguese që janë në fuqi.

Situata me pandeminë është shndërruar në arenë përplasjesh mes forcave politike maqedonase. VMRO-DPMNE-ja opozitare përmes një proteste para Ministrisë së Shëndetësisë, sërish ka kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje të Ministrit Filipçe dhe qeverisë, për shkak të keqmenaxhimit të situatës së COVID-19.

“Më vjen keq, por duhet ta dijnë se jemi të lënë pasdore, për popullin e thjeshtë në këtë vend s`ka mbrojtje shëndetësore e as ekonomike. Ne kemi një ministër i cili në vend që të gjejë vaksina, gjen firma për t`u pasuruar nga ato vaksina”, tha Lupço Prenxhov.

Por, Socialdemokratët pohojnë të kundërtën, duke akuzuar opozitën maqedonase se po përhapin dezinformata dhe lajme të rreme.

“Deri tani janë vaksinuar 35 mijë qytetarë, kurse për t`u vaksinuar janë paraqitur 160 mijë. Në kohën kur instutucionet janë të përkushtuar në betejën kundër pandemisë, VMRO-DPMNE-ja përhap panikë, maipulon opinionin me lajme të rrejshme dhe spekulime”, u shpreh Martin Kostovski.

Ndërkohë sipas një ankete të zbatuar në Maqedoninë e Veriut, “Pfizer” dhe “Sputnik-V” janë vaksinat më të preferuara për qytetarët. Anketa, është bërë përmes telefonit gjatë periudhës 11 – 14 Prill 2021 me 1.112 të anketuar. 57.7% e të anketuarve kanë deklaruar se do të vaksinohen nëse u ofrohet mundësia, 24.5% kanë thënë se nuk do të vaksinohen, kurse 17.8% janë në hamendje.

Klan News