OBSH: As karkalecat e Ekuadorit dhe as mishi i Brazilit nuk kanë korona

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje njerëzve që të mos shqetësohen nga përhapja e koronavirusit të ri përmes ushqimit, pas lajmeve të dy ditëve të fundit nga autoritetet kineze se kanë gjetur gjurmë të virusit në ushqim.

Lajmi i parë u raportua në një restorant në Wuhan pasi karkalecat e detit të importuara nga Ekuadori rezultuan me koronavirus, ndërsa i dyti për mishin e pulës të importuar nga Brazili. Ja çfarë ka komunikuar udhëheqësi i Programit të OBSH-së për Emergjenca, Mike Ryan.

“Njerëzit nuk duhet të frikësohen nga ushqimi, paketimi i tij, apo dërgesat me porosi. Nuk ka të dhëna se ushqimi apo zinxhiri ushqimor është pjesë e përhapjes së virusit. Njerëzit duhet të jenë të sigurt”.

Drejtuesit e OBSH i kanë bërë këto deklarata teksa numri i personave të vdekur si pasojë e këtij virusi në botë, ka tejkaluar shifrën 750,000, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Sipas po këtij institucioni, numri i të infektuarve në nivel global me koronavirus ka shkuar në më shumë se 20,7 milionë. Ryan ka paralajmëruar se bota mund të jetë vetëm në fillim të stuhisë, sepse vetëm një pjesë e vogël e popullsisë globale i është ekspozuar virusit.

“Virusi ka rrugë të gjatë nëse ne e lejojmë. Çdo kush duhet të bëjë pjesën e tij për të ndërprerë zinxhirin e infektimit”.

Klan Plus