Të gjunjëzuar dhe me duar lart nën mbikëqyrjen e trupave speciale të Xhandarmërisë franceze. Nën këtë pamje që të ngjall frikë u mbajtën 153 nxënës të liceut të qytetit Mantes-la-Jolie. Prokurorët kanë ngritur ndaj tyre, akuza për pjesëmarrje në tubime të armatosura. Ata u arrestuan gjatë protestave të dhunshme të së enjtes në këtë qytet.

Studentët do t’u bashkohen “Jelekverdhëve” në protestën e katërt masive që është planifikuar këtë të shtunë në Paris dhe gjithë Francën. Qeveria i druhet ashpërsimit të dhunës ndaj dhe po dërgon ushtrinë dhe mjetet e rënda drejt Parisit.

Kryeministri Edouard Philippe njoftoi angazhimin e 8 mijë forcave policore shtesë vetëm në Paris, 89 mijë në total në të gjithë vendin. Në një intervistë televizive, ai ngriti dyshime se këto nuk janë thjeshtë protesta, por përpjekje për të shkaktuar trazira.

“Do të jetë një numër i madh manifestuesish që nuk do të vijnë në Paris për të protestuar, por për të shkaktuar dëme, për të sulmuar bizneset, për të qëlluar ndaj forcave të rendit”.

Pjesë e masave kundër trazirave është edhe mbyllja e kullës Eiffel, ikonë e Parisit dhe shumë objekteve të tjera kulturore.

Tv Klan