Beratasi i dha fitoren Ferencvarosit, kavajasi dopietë në Turqi.

Paraqitja e Myrto Uzunit këtë fundjavë, ku shënoi një gol e ka përfshirë në formacionin e javës në Hungari. Beratasi realizoi golin e fitores për ekipin e tij, që afrohet akoma dhe më shumë me titullin kampion. Në formacionin e javës u përfshi dhe Sokol Çikalleshi, ne Superligën turke.

Fundjava ka qenë tepër efikase për futbollistët e kombëtares shqiptare. Myrto Uzuni shënoi golin e vetëm në fitoren që Ferencvaroshi i tij mori në shtëpi përballë Honved, duke i dhënë 3 pikë me mjaft vlera në garën për titull. Paraqitje që nuk ka kaluar pa u vënë re nga specialistët hungarez të futbollit, të cilët e kanë përfshirë beratasin në formacionin më të mirë të javës. Në skemën 3-4-3, Uzuni rreshtohet në krahun e majtë të mesit të fushës, pozicion që e kemi parë shpesh në këtë sezon.

Uzuni përfitoi nga një top i kthyer nga mbrojtja e Honved për të dërguar sferën në rrjetë me një gjuajtje të kalibruar në hyrje të zonës që nuk i la mundësinë portierit që të reagonte. Ky ishte goli i 8 për sulmuesin në këtë kampionat ku po i afrohet pak nga pak rekordit të tij personal me 9 gola në kampionat. Këto gola kanë ndihmuar Ferencvaros-in që të krijojë një shkëputje aq të madhe nga ndjekësit, sa tashmë është 17 pikë larg vendit të dytë në renditje, e praktikisht ka vendosur në kasafortë titullin kampion.

Në formacionin e javës u përzgjodh edhe futbollisti tjetër i kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi. 30-vjeçari shënoi dy gola në fitoren që ekipi i tij, Koniaspor mori në transfertën e Yeni Malatiaspor, për tu ngjitur në kuotën e 3 golave në këtë edicion.

Klan News