Emanuela Rusta është vajza nga Elbasani, e cila shumë shpejt u dashurua me një profesion të veçantë për femrat në vendin tonë.

25-vjeçarja është e para femër në Shqipëri që ka fituar stemën e FIFA-s. Vlerësimin e morri në Lisbonë të Portugalisë, ku mes 38 arbitreve femra, arriti të kalonte testet. Për herë të parë në historinë e futbollit, Emanuela do të përfaqësojë futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për këtë profesion të veçantë për femrat në vendin tonë.

“Unë kam luajtur basketboll për disa vite me ekipin e Elbasanit dhe krejt rastësisht më tregoi për arbitrimin në futboll dhe një ditë shkova dhe dëgjova për arbitrimin. Më pëlqeu dhe thashë përse të mos e provoj. E fillova rastësisht dhe tashmë nuk kam ndërmend ta lë. Sapo më ka ardhur një ftesë për ndeshje ndërkombëtare, por nuk e di ende ndeshjen. Ajo do të mbahet në fund të Marsit. Duhet të jesh shumë e përgatitur dhe shumë e vëmendshme për ta bërë dhe unë stërvitem çdo ditë. Tifozët kur shohin një figurë femre në fushë janë më të kujdesshëm”

, tha arbitrja.

/tvklan.al