Dorëhiqen ministri e zv/ministri i Shëndetësisë dhe drejtorët e spitalit të Tetovës

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, gjatë një konference shtypi të jashtëzakonshme për media, njoftoi se ia ka dorëzuar dorëheqjen me shkrim Kryeministrit Zoran Zaev. Sipas tij një vendim i këtillë vjen pas tragjedisë në Tetovë ku siç u shpreh si mjek dhe si ministër ka integritet për këtë vendim të dorëheqjes.

Tragjedia e fundit në Tetovë më ka goditur shumë, shpreh keqardhje për viktimat, shpreh ngushëllime dhe bashkëndiej me familjet e tyre. Nuk ka fjalë që këtë mund ta përshkruajnë e as mënyrë që të kompensohen humbjet. Si mjek dhe ministër kam integritet dhe për këtë arsye, për shkaqe morale ia ofrova dorëheqjen time me shkrim Kryeministrit Zoran Zaev”, tha ai.

Dorëheqja e Venko Filipce nuk mjafton, duhet të dorëhiqet Zoran Zaev që është pjesa qendrore e piramidës së mosfunksionimit të sistemit”, kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja.

Vetëm dorëheqja e Zaev do të garantojë hetim të pavarur dhe objektiv. 15 jetë u shuan në institucionin për sigurinë e të cilit përgjegjëse është shteti. Zaev të mos fshehet pas dorëheqjes së Filipce. Ky popull pa dorëheqje që nuk ishin akte të përgjegjësisë, por akte të amnistisë, sic ishte rasti me Kiracovski dhe Rashkovski. Duhet përgjegjësi e vërtetë”.

Ata që vetëm para 24 orëve thanë se koha është për sfida dhe jo për dorëheqje, pas publikimit të indicieve të para për gabime tragjike në ndërtimin e spitalit modular në Tetovë filluan të dorëhiqen”, reagojnë nga ASH-ja.

 “Këto dorëheqje të vonuara, janë tentim për të arsyetuar Qeverinë jo funksionale e cila duhet të dorëhiqet deri tek i fundit, taktikë e funksionarëve pa përgjegjësi për të mbuluar fajin e tyre, ngutje për të amortizuar revoltën e qytetarëve dhe lojë për t’i ikur përgjegjësisë. Ky rast nuk guxon të ngelë pa drejtësi dhe pa përgjegjësi. I bëjmë thirrje prokurorisë që të mos bie në lojërat politike, të veprojë urgjentisht dhe të mos lejojë të ikë ndonjëri nga të dyshuarit e të na ndodhë “Budapest 2“, thuhet në reagimin e ASH-së.

Zv/Ministri i Shëndetësisë Ilir Hasani në një postim në Facebook shkruan se në këto momente kaq të rënda për të gjithë jep dorëheqje si akti më i lart moral.

Edhe përkundër faktit se nuk kam asnjë lidhje me procedurat vënies së spitalit modular, edhe pse nuk kam asnjë lidhje as me pjesën organizative, dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten. Asgjë nuk ka mbi dinjitetin!”

Përmes postimit në Facebook është dorëhequr edhe Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi.

Me dhimbje të pashuar për çdo viktimë dhe çdo familjarë të tyre, Ju informoj se për shkak të kësaj përgjegjësie morale që e ndjej, jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë. Pas kësaj ngjarje të tillë tragjike dhe fatkeqe, ky vendim është i pashmangshëm”.

Dorëhiqet edhe Drejtori Ekonomik i Spitalit të Tetovës Artan Etemi. Lajmi po ashtu është bërë i njohur përmes Facebook-ut.

Duke ndjerë dhimbjen e thellë nga tragjedia që ndodhi në qendrën modulare në Tetovë, si dhe duke qenë prezent vetë në vendin e ngjarjes, nga pamjet trishtuese që kam përjetuar duke nxjerrë edhe vetë me duart e mia kufomat e viktimave, në cilësinë e drejtorit ekonomik të Spitalit të Tetovës jap dorëheqjen time si një akt moral”.

Ndryshe, pas tragjedisë së 8 Shtatorit në Spitalin modular të Tetovës ku humbën jetën 14 persona, në opinion u shpërfaqën kërkesa të shumta, për dhënien e përgjegjësisë nga autoritetet kompetente si dhe dorëheqja e tyre.

Klan Macedonia