Ndërron jetë në burg në rrethana të paqarta Alexei Navalny, lideri i burgosur i opozitës anti-Putin në Rusi. Siç njoftoi televizioni shtetëror rus, 47-vjeçari ndërroi jetë në koloninë penale të Jamalo Njenjets, në veri rajonit federal të Uraleve, menjëherë pas përfundimit të shëtitjes së ajrimit.
Dyshimet e para janë që Navalny të ketë ndërruar jetë nga një ishemi, por zyrtarët në Moskë thanë se për momentin nuk kishin asnjë ide për shkaqet e vdekjes së tij. Hetuesit nisën menjëherë hetimet për të zbuluar shkaqet e vdekjes. Avokati i tij Leonid Volkov tha se nuk bëhej fjalë për një vdekje, por për një vrasje, sipas tij, të urdhëruar nga Vladimir Putin.
Presidenti amerikan Joe Biden bëri përgjegjës për këtë vrasje shefin e Kremlinit, Vladimir Putinin.
“Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi, por nuk ka dyshim se vdekja e Navalny ishte pasojë e diçkaje që bënë Putin dhe banditët e tij. Putin është përgjegjës për vdekjen e Navalny. Putini nuk synon vetëm qytetarët e vendeve të tjera, siç e kemi parë në atë që po ndodh në Ukrainë tani, ai gjithashtu kryen krime të tmerrshme ndaj popullit të tij”, tha Biden.
Vdekjen e Navalny e lidhin me Putinin edhe zyrtarë të tjerë të lartë në perëndim si kancelari gjerman, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, krerët e 3 institucioneve drejtuese të Bashkimit Europian, si dhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Bashkëshortja e Navalny, Julia, pjesëmarrëse në Konferencën për Sigurinë në Mynih, tha se Putin duhet të mbajë përgjegjësi dhe se kjo ditë do të vijë shumë shpejt.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov bëri të ditur se Presidenti rus Putin është njoftuar për vdekjen e Navalny dhe se shërbimet e burgjeve do të hetojnë për vdekjen e tij në përputhje me procedurat standarde.
Shumë rusë protestuan në rrugët e Shën Pjetërburgut apo afër Moskës, e pasi morën vesh se lideri i opozitës kishte vdekur. Ata u arrestuan nga policia. Protesta të shumta kanë nisur nëpër shtete perëndimore përpara selive diplomatike të Rusisë. Navalny u burgos në 2021-shin për të vuajtur dënimin me 19 vite burg me akuzat për ekstremizëm, dënim që ai e vetë e quante “burgosje politike”.
Tv Klan