Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Presidentin Ebrahim Raisi për tensionet rajonale në Lindjen e Mesme.

Biseda mes dy presidentëve vjen pas sulmit me dronë dhe raketa të Teheranit ndaj Izraelit, 99% e të cilave u shkatërruan nga forcat izraelite, amerikane, britanike dhe jordaneze.

CNN raporton se Presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga të dy palët.

“Të gjitha palët duhet të tregojnë përmbajtje të arsyeshme dhe nuk duhet të lejojnë një raund të ri konfrontimi me pasoja katastrofike për të gjithë rajonin”.

Nga ana tjetër, President i Iranit Ebrahim Raisi vuri në dukje se veprimet e shtetit të tij ishin të detyruara dhe të kufizuara. Në të njëjtën kohë, ai theksoi mosinteresimin e Teheranit për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Kremlini përshkroi një situatë të rënduar, pasi Izraeli dhe aleatët e tij iu kundërpërgjigjën raketave të lëshuara nga Irani gjatë fundjavës.

Teherani tha se sulmi ishte në përgjigje të një sulmi të dyshuar izraelit në një konsullatën iraniane në Damask, Siri, në fillim të këtij muaji.

/tvklan.al