5612 mjekë dhe infermierë kanë marrë dozën e parë

Me mbërritjen e 8190 dozave të tjera të vaksinës së Pfizer, procesi i vaksinimit është shtrirë edhe te stafi shëndetësor i Urgjencës Kombëtare. Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër procesin e vaksinimit në stadiumin ‘Ari Albania’.

 “Kemi ambicien për të përfunduar vaksinimin qoftë të mjekëve dhe infermierëve të spitaleve, ata që janë në linjën e parë, por gjithashtu  edhe për të vijuar në mënyrë instesive dhe për të përfunduar sa më shpejtë vaksinimin e mjekëve të familjes dhe të infermierëve kudo në sistemin tonë shëndetësor. Do nis vaksinimi dhe në Berat, Korçë e vende të tjera”

Dozën e parë të vaksinës antiCovid e ka marrë dhe Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili u infektua nga koronavirusi Marsin e vitit të shkuar.

Manastirliu sqaroi se do të vijojë vaksinimi për personat mbi 80 vjeç, të cilët do të njoftohen nga mjeku i familjes.

 “Prioriteti ynë sipas planit të vaksinimit janë edhe të moshuarit mbi 80 vjeç me fasha të ndara sipas grupmoshës por edhe sipas sëmundshmërisë. Ndaj, ashtu sikurse kemi filluar për vaksinimin e 80  vjeçarëve të dielën, ashtu do të vijojmë për të vaksinuar sipas të gjithë atyre indikacioneve që mjeku i familjes jep.”

Deri tani janë vaksinuar 5612 mjekë dhe infermierë me dozën e parë, ndërsa 655 personel shëndetësor i kanë marrë të dy dozat e vaksinës.

Gjithashtu janë vaksinuar 461 të moshuar dhe staf që kujdeset për ta.

Klan News