I vrarë dhe një person tjetër, plagoset një i tretë

Përgjaket fushata elektorale për zgjedhjet lokale në Kosovë. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mbrëmje në qytetin e Pejës në Kosovë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, 2 persona kanë mbetur të vdekur dhe një tjetër është plagosur.

Mësohet se viktimat janë Astrit Ademaj, kandidat për kryetar të komunës së Pejës nga radhët e PDK dhe zyrtari tjetër i kësaj partie është Blerand Kadriaj. Ai ka qenë më herët kandidat i PDK për kryetar të komunës së Deçanit. I plagosur nga plumbat ka mbetur edhe një person i tretë që dyshohet se është vëllai i Astrit Ademajt.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta. Burime në vendin e ngjarjes thanë se të dyja viktimat kanë qenë brenda në një lokal kur ka pasur një përplasje me armë. Sipas të njëjtave burime mësohet se viktimat kanë hapur zjarr ndaj njëri-tjetrit për motive ende të pazbardhura. Të dy viktimat kanë shkuar pa shenja jete në spital.

Për ngjarjen ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai tha se personi i tretë i plagosur është arrestuar nga policia. Reagime ka pasure dhe nga kryetari i PDK-së dhe kryeministri Kurti. 

Tv Klan