Sofja kërkon mekanizëm për ndjekjen e progresit të marrëveshjes me Shkupin

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ripërsëriti se nuk ka asgjë sekrete në negociatat me Bullgarinë. Në tryezën e bisedimeve është propozimi portugez, që sipas tij, është një bazë e mirë për të gjetur zgjidhje për çështjet dypalëshe me Sofjen.

“Nuk fshehim asgjë. Në tryezë është propozimi portugez. Ne thamë se për ne është bazë e mirë për gjetje të zgjidhjes. Gjithsesi deklaratat joserioze që jepen nga kushdoqoftë, veçanërisht nga lideri i partisë më të madhe opozitare mund të shkaktojnë vetëm pasoja të dëmshme në procesin e eurointegrimeve të vendit në BE. Unë bëj thirrje për maturi, pasi që një mijë herë e kemi thënë dhe vërtetuam, se nëse gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas ndodhen në tryezë ne nuk do të bisedojmë”.

Opozita maqedonase sërish ka shfaqur dyshime rreth deklaratave të Kryeministrit Zaev. Sipas tyre, ai fillimisht tha se Bullgaria ka hedhur poshtë propozimin portugez, kurse tani deklaron se ky propozim është në tryezën e bisedimeve.

“Të gjithë e pamë dhe e dëgjuam se si Zaevi betohej në më të dashurit, por në fund e ndryshoi emrin. Kur ai negocionon me Bullgarinë, Maqedonia nis nga minusi dhe e dimë se Zaevi do të nënshkruajë gjithçka, vetëm se i frikësohet popullit dhe për këtë shkak jep deklarata kontradiktore në periudha të ndryshme”.

Agjencia bullgare e lajmeve BGNES njofton se Kryeministri teknik i Bullgarisë Stefan Janev, ambasadorëve të Belgjikës dhe Holandës në Sofje, u ka thënë se Sofja kërkon të krijohet një mekanizëm konkret përmes së cilës do të ndiqet realizimi i marrëveshjeve Bullgari – RMV.

Samiti i BE-së do të mbahet më 22 Qershor dhe atëherë do të dihet nëse ka progres në relacionet mes Qeverisë në Shkup dhe Qeverisë teknike në Sofje, që do ta udhëheqë vendin deri më 11 Korrik për kur janë caktuar zgjedhjet parlamentare në Bullgari.

Klan News