Ktheu stallën e bagëtive në laborator kanabisi

Ky laborator i kultivimit të kanabisit u zbulua nga policia në fshatin Gjormë të Kurbinit shumë pranë rrugës nacionale.

Në pranga u vu një 24-vjeçar i identifikuar si Vranicki Hisku ndërsa u shpall në kërkim 41-vjeçari Edmond Stojani që ka pasur detyrën e drejtuesit të Kadastrës së Kurbinit.

Sipas policisë, të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Në këtë magazinë u sekuestruan 205 bimë kanabis të kultivuara në vazo. Gjithashtu, gjatë kontrollit në ndërtesë u konstatua edhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Policia thotë se në banesën e të arrestuarit u gjet një pushkë me dylbi të montuar. Ndaj dy personave tashmë rëndojnë akuzat e kultivimit të bimëve narkotike”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.  /tvklan.al