Pavarësisht zërave të shtuar se trajneri Ze Maria do të largohet nga Tirana, braziliani zhvilloi rregullisht seancën stërvitore të së hënës në prag të takimit me Kastriotin.

Gjithsesi, para seancës braziliani zhvilloi një mbledhje me lojtarët dhe stafin që zgjati 2 orë e 20 minuta. Trajneri konfirmon takimin me Presidentin Refik Halili, por nuk bën komente të gjata për situatën e krijuar pas humbjes në derbin me Partizanin.

“Unë duhet të stërvis ekipin. Folëm me presidentin për të sqaruar disa gjëra, jemi këtu.”

Te Tirana thonë se puna po vijon normalisht, por në mediat sportive raportojnë se kontrata e brazilianit mban peng largimin e tij. Nëse ndërpritet në mënyrë të njëanshme nga klubi atëherë Ze Maria do të përfitojë dëmshpërblim. Madje janë përmendur edhe emra si zëvendësues të mundshëm nëse Ze Maria largohet. Julian Ahmataj, Ardi Mema apo Ernest Gjoka.

Ecuria e bardhebluve nën drejtimin e tij deri më tani nuk është pozitive, pasi janë grumbulluar vetëm 5 pikë në 6 javët e para të kampionatit. Humbja në derbi e bëri më të vështirë situatën.

Tv Klan