Mbërrijnë në Shkurt dozat e para nga Kina

Vaksinimi kundër Covid-19 në Maqedoninë e Veriut do të fillojë me vaksinat kineze. Bëhet fjalë për 200 mijë vaksina, transportin e të cilave do ta organizojë Ministria e Shëndetësisë, kurse siç u tha bisedimet janë në fazën përfundimtare.

“Në muajin Shkurt, sasitë e para të vaksinave që do të arrijnë në vendin tonë janë ato kineze. Me këto vaksina do ta fillojmë procesin e imunizimit të popullatës, konform planit të miratuar. Nuk do të doja të spekuloj për datën e saktë, por do të arrijnë 200 mijë vaksina dhe do të fillojë vaksinimi për grupet me prioritet”.

Kryeministri Zoran Zaev pret që këtyre ditëve të arrijë konfirmimi nga kompania Pfizer që vaksinat e kësaj kompanie që duhet të arrijnë nga Serbia, mund të shfrytëzohen për punonjësit shëndetësor.

“Marrëveshja jonë që e kemi në mënyrë direkte me Pfizer presim t’i jep rezultatet nga mesi i muajit Shkurt, këto janë 5850 vaksinat e para, me çka në mars vazhdojmë me vaksinat e tjera vijuese… Po ashtu procedurat për blerjen e vaksinave nga vendet tjera, janë të hapura për vendin tonë”.

MSH-ja njoftoi se mekanizmi Covax përmes një shkrese ka bërë publike detajet për dërgesën e parë dhe llojin e vaksinës që do të arrijë në vendin tonë. Bëhet fjalë për vaksinën AstraZeneca, që sasitë e parë, në vendin tonë planifikohen të arrijnë në muajin Mars.

Nga Covax kanë njoftuar se për RMV-në janë paraparë nga 103.200 deri më 175.200 doza të kësaj vaksine, prej të cilëve rreth 35% duhet të arrijnë në tremujorin e parë, kurse të tjerët në tremujorin e dytë të vitit.

Tv Klan