Tejkalojnë me dyfishin normën e BE. Shumica e tyre janë me arsim 9-vjeçar

Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2020 gati 32% e të punësuarve në vend ishin të vetëpunësuar. Jetesa në vendin tonë fitohet përmes hapjes së një njësie tregtare,kryesisht dyqane të vegjël ose njësi shërbimi. 

Pjesa më e madhe e të vetëpunësuarve, gati 41% janë me arsim bazë, 8 ose 9 vjeçar. Edhe ata me arsim të mesëm tentojnë që të hapin bizneset e tyre, me vetëpunësimin që zë 34% të kësaj kategorie. Numrin më të ulët të të vetëpunësuarve e kanë ata me arsim të lartë, vetëm 12% e të punësuarve me arsim të lartë janë të vetëpunësuar. 

Meshkujt janë më të prirur të hapin sipërmarrje, me 38% të tyre që janë të vetëpunësuar, kundrejt 25% të femrave.Ndërsa sipas grupmoshave, përqindja më e lartë e vetëpunësimit rezulton tek personat që janë mbi 65 vjeç, pasi përbëjnë rreth  60% dhe më e ulëta për të rinjtë deri në 24 vjeç e cila zë vetëm  20%.

Sipas Eurostat Shqipëria ka përqindjen më të lartë të vetëpunësimit në Europë dhe mëse dyfish në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian prej 13.3% në fund të 2020-s.

Në vend të dytë në Europë është Greqia, me mbi 28% të totalit të punonjësve që janë të vetëpunësuar, e ndjekur nga Italia me 20% dhe Turqia me mbi 19%. Nga rajoni, përqindja më e lartë e vetëpunësimit pas Shqipërisë është në Serbi, me 19.2%.

Klan News