Alban Ylli: Me numrin më të lartë regjistrohet kanceri i mushkërive dhe i gjirit

Gjatë një viti në vendin tonë diagnostikohen 6500 pacientë me kancer dhe sipas ekspertit të shëndetit publik Alban Ylli, kjo rritje lidhet me shtimin e kontrolleve te mjeku, por një faktor është edhe plakja e popullsisë e cila po reflekton në rritjen e këtyre sëmundjeve.

“Në 3 vitet e fundit arrijmë të identifikojmë si raste të reja me kancer në Shqipëri, rreth 6300, 6500 mund të shkojë maksimumi, ndërkohë që lidhur me vdekshmërinë kjo luhatet në 3500-3600 raste vdekjesh nga kanceri çdo vit”.

Pandemia solli vështirësi në marrjen e shërbimeve ndaj kjo gjë pritet të reflektojë edhe te të dhënat e sëmundjeve kancerogjene.

“Për 2020 ka pasur një rënie të numrit të rasteve të diagnostikuara dhe me gjasë duhet të jenë disa qindra kancerë më pak, ndoshta edhe 1000 më pak se ç’do duhej të priteshin”.

Kanceri i mushkërive dhe kanceri i gjirit janë dy llojet më të përhapura të tumoreve në vendin tonë.

“Kancerat më të përhapur në Shqipëri është kanceri i mushkërive, 850 raste të reja çdo vit dhe kanceri i gjirit me mbi 700 raste të reja çdo vit. Kanë distancë nga kancerat e tjerë, pastaj mund të flasim për kancer të lëkurës dhe janë një grup shumë i madh, por për fat një pjesë e rëndësishme e tyre mund të kontrollohen lehtësisht në sistemin shëndetësor. Kancera të tjerë të rrezikshëm do të përmendja kancerin e vezikës urinare, i zorrës së trashë, i cili ka një prirje për t’u ngritur dhe ai i stomakut, I cili nuk po rritet në vendin tonë, por krahasimisht me vendet e tjera të rajonit, është më i lartë”.

Kanceri i gjirit shfaqet kryesisht te femrat mbi moshën 50 vjeç.

“Ende një pjesë e rëndësishme e kancerit të gjirit shfaqet në moshën 50 vjeç dhe është më agresiv”.

Pavrësisht se kanceri i gjirit është një ndër llojet e kancerit që mbizotëron për nga numri, më të rrezikuar nga sëmundjet tumorale janë meshkujt. 

“Arsyet për këtë janë të lidhura me stilin e jetesës. Kanceri i mushkërive, i cili është kryesori në vendin tonë ka faktor kryesor duhanpirjen, alkoolin dhe ushqimet e pashëndetshme”.

Një ndër vrasësit  kryesor të shqiptarëve janë sëmundjet tumorale. Sipas të dhënave të INSTAT vdekjet nga “Tumoret” zënë 13 % të totalit të vdekjeve.

Klan News