Ditën e sotme ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e nisi fushatën në Shkodër aty ku garon me kandidatin Xhemal Bushati dhe e prezantoi para demokratëve shkodranë. Kryedemokrati tha se Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën.

“Dy dashni kanë shkodranët, PD-në dhe Vllazninë. Xhemali, në një nga bisedat kohë më përpara, kur nuk e dinte që do t’i propozohej sakrifica e përfaqësimit të shkodranëve në një moment si ky, më ka thënë tre fjalë që i kam dëgjuar edhe nga shkodran të tjerë, kështu që besoj që është një fjalë e gjithë qytetit, e gjithë bashkisë, nga Dukagjini në Velipojë, Shkodra është dashni. Dhe e shoh që e ka dhe në sloganin e tij “me dashni për Shkodrën”, por e vërteta është që Shkodra është dashni, e vërteta është që Xhemal Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën. Ai është pjesë e Shkodrës, e tha një nga parafolësit. Është pjesë e Shkodrës jo vetëm në ditë të bukura si kjo ku jemi mbledhur bashkë për të festuar në zemrat tona besimin e pathyer se bashkë nuk ka forcë të na mposht po edhe në ditë të vështira, edhe në ditë të errëta, jo vetëm në ditë me diell, edhe në ditë me shi”, tha Basha.

Ndërkohë kandidati Bushati tha se në këtë zgjedhje duhet t’iu kthejmë qytetin qytetarëve.

“Do t’i shërbejmë qytetarëve me transparencën më të madhe”, tha ai.

Siç raportoi gazetarja Emi Kalaja pak minuta para takimit të Bashës në Shkodër ka një prani të shtuar policie në perimetrin afër vendit ku mbahet prezantimi i kandidatit.

Bushati do të jetë në garë me 2 kandidatë të tjerë në zgjedhjet e 6 Marsit. Ai do të ketë përballë Bardh Spahinë nga “Shtëpia e Lirisë” dhe Majlinda Angonin që garon në radhët e PS-së./tvklan.al