“Në 25 Prill largojmë pengmarrësin e fateve tona”

Ndalja e eksodit të të rinjve dhe rikthimi në Shqipëri i të diplomuarve jashtë janë dy nga sfidat që Lulzim Basha angazhohet t’i përmbushë pas ardhjes në pushtet. Gjatë një takimi online me studentë, kryedemokrati u shpreh se që të fitojë rinia shqiptare, më parë duhet larguar Kryeministri Rama, i cili sipas tij ka marrë peng fatet e vendit.

“Faktet flasin vetë, 75% e të rinjve duan të largohen nga vendi. 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Dëshira për të mos u kthyer por për të vazhduar jashtë Shqipërisë është një katastrofë kombëtare, të cilës ne mund, duhet dhe do t’i japim fund me programin tonë ekonomikë e në veçanti me programin tonë për rininë”.

Anulimi i ligjit për arsimin  e lartë është edhe akti i parë që premton se do ndërmarrë pas uljes në karrigen e Kryeministrit.

“Ligji i arsimit të lartë u konceptua si një ligj për t’iu nënshtruar, t’ju skllavëruar, për t’ju depersonalizuar ju, universitetet dhe pedagogët. Ndaj dhe akti i parë në programin tonë, i cili do të marrë jetë pas zgjedhjeve të 25 Prillit, është abrogimi i ligjit për arsimin e lartë dhe një ligj i ri i përmasave dhe parimeve europiane, i ndërtuar me ekspertizën më të mirë të ekspertëve tanë, të pedagogëve dhe ndihmën tuaj në dialog me ju dhe shoqatat e studentëve”.

25 Prillin e sheh si ditën e ndryshimit për Shqipërinë, rruga për të cilën u shpreh se nis nga vota e të rinjve.

“Për këtë duhet ndihma juaj, duhet të shkoni derë më derë tek shokët dhe shoqet tuaja, tek bashkëmoshatarët tuaj dhe jo vetëm edhe tek më të rriturit e t’ju bëni thirrje që gjithë mërzinë, zhgënjimin, mllefin, depresionin ta kthejnë në energji, ta kthejnë në votë dhe në 25 Prill të votojnë për Partin Demokratike, të votojnë për ndryshimin”.

Për daljen nga kriza, Basha tha se Partia Demokratike ka një program që synon uljen e taksave, rritjen e pagave e pensioneve dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.

Tv Klan