Blerjet e përqendruara dhe shëndetësia me ankesat më të larta

Gjatë vitit të pandemisë bizneset kanë ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik 240 milionë dollarë vlerë tenderash, ku për gjysmën e ankimeve Komisioni ka rënë dakord dhe ka pranuar të shqyrtojë ankesën.

Në total janë ankimuar 9% e prokurimeve publike, 741 nga a 6440 tendera të zhvilluara, duke paraqitur një rënie krahasuar me vitin 2019, ku numri i ankimimeve ishte 1052.

Pavarësisht kësaj, koeficienti i pranimit të ankesave vitin e shkuar rezulton më i lartë, 49.6% nga 35% që ishte në 2019-n.

Sipërmarrjet kanë apeluar vendimet e komisioneve të tenderave më shumë për procedura shërbimesh, të ndjekura nga kontratat për mallra.

Edhe gjatë vitit 2020, 94 ankesa kanë qenë për shërbimin e ruajtjes fizike, çka konsiderohet si një procedurë abuzive që përdorin kompanitë në këtë fushë nga ana Komisionit të Prokurimit për djegien e afateve dhe dështimin e procedurës.

Agjencia e Blerjeve të përqendruara, Ministria e Shëndetësisë, Posta dhe Autoriteti Rrugor janë institucionet me numrin më të lartë të tenderave të kontestuar.

Të ndara sipas qarqeve, pakënaqësitë e ndërmarrjeve që kanë marrë pjesë në prokurime vitin e shkuar kanë qenë më të mëdha në Tiranë, të ndjekura nga Fieri, Vlora dhe Durrësi.

Tv Klan