Veliaj: Program financimi për të botuar librin e parë

Libri i parë për një shkrimtar të ri mund të shoh dritën e botimit me anë të financimit nga Bashkia e Tiranës. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, teksa prezantoi website-in më të ri për bibliotekat e kryeqytetit.

“Për të gjithë ata që janë shkrimtarë të rinj, dua që të mendojnë pak si mund të hapim një program financimi për të botuar librin e parë ose librat e parë. Ndoshta riskun e parë mund ta marrim ne si Bashki dhe nëse do kishim një minifond siç bëjmë për Start-Up, siç bëjmë për ata që duan të fillojnë një biznes, siç bëjmë për ata që duan të hapin një shoqatë, fare mirë mund ta bëjmë  për botuesit e rinj”.

Bibliotekat, sipas Veliajt, janë edhe hapësira civile të cilat meritojnë vëmendje më të madhe.

“U japim vëmendje në disporpocion atyre që bëjnë skandalin e ditës, asaj tallavasë, asaj që unë e quaj ndonjëherë antikulturë dhe antivlerë, thjesht sepse bërtet më shumë. Unë besoj që kudo ka një shumicë të heshtur, që ndoshta nuk bën zhurmë, por që përfaqëson le të themi konsensusin moral të shoqërisë. Edhe unë besoj që bibliotekat, libri, hapësira të tilla civile dhe qytetare, përfaqësojnë shumicën e shoqërisë”.

Kryebashkiaku siguroi se në Tiranë do të vijojë hapja e bibliotekave të reja dhe i hapësirave të reja që do të shërbejnë si qendra rinore.

Tv Klan