“Qeveria të na ndihmojë dhe jo të na gjobisë”

Shoqata e biznesit fason të Krujës thotë se është gati të mbyllë aktivitetin derisa të ketë një fashitje të numrit të të infektuarve me Covid në këtë qytet, por me kushtin që qeveria të marrë përsipër pagesat për punonjësit e tyre.

Në një takim me përfaqësues të Partisë Demokratike, sipërmarrësit thanë se pavarësisht insistimit të tyre qeveria jo vetëm ka refuzuar të dialogojë me ta por i ka gjobitur.

“Deri tani, qeveria ka menduar vetëm të na ngrejë kurthe për të na gjobitur, në mënyrë që ne t’i mbyllim vetë fasoneritë dhe t’i paguajmë vetë punonjësit pa asnjë ndihmë prej tyre. Na vendosin protokolle sigurie të pazbatueshme, pa marrë parasysh që punonjësit nuk punojnë dot me doreza, linja e prodhimit dëmtohet nga vendosja e makinerive larg njëra-tjetrës dhe pastaj na vendosin gjoba 5 milionë, 7 milionë për të na e bërë të pamundur punën, duke na çuar drejt mbylljes së detyruar pa marrë asgjë përsipër për punonjësi”.

Veç sigurisë që këto sipërmarrje do të kenë gjithmonë mbështetjen e opozitës, përfaqësuesit e demokratëve thonë se garantimi i shëndetit të punonjësve dhe pagesat e tyre, janë detyrim i qeverisë.

Në Krujë është numri më i lartë i fasonerive në vend. Rezulton se në 2 javët e fundit nga rasti i parë i infektimit në një prej tyre janë zyrtarisht 83 persona pozitivë me COVID-19.

Tv Klan