Furnizime të pamjaftueshme nga firmat e lejuara nga BE

Çekia do të jetë vendi i dytë i Bashkimit Europian pas Hungarisë, që pranon të imunizojë popullsinë me vaksinat kineze. Pekini i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Presidentit çek Millos Zeman për furnizimin me vaksinat e firmës Sinofarm, ndërsa kontaktet për përcaktimin e sasisë së dozave pritet të nisin së shpejti.

Çekia po përballet me një tjetër valë përhapjeje të koronavirusit ditët e fundit, ku infektimet ditore kanë arritur rekorde për këtë vit. Ky vend është i dyti në kontinent pas Malit të Zi për shifrat e të prekurve nga COVID-19 në raport me popullsinë. 3 firmat e autorizuara nga Angjencia Europiane e Barnave, Pfizer/BioNTech, Moderna e AstraZeneca i kanë shumë të ulta ritmet e furnizimit të vendeve të Bashkimit Europian.

Komisioni Europian fajësoi këto firma se përdorin fabrikat në vendet e unionit, për të përmbushur kontratat e tyre me vendet jashtë BE-së, duke lënë pas dore shtetet anëtare. Italia bëhet vendi i parë që ve në zbatim rregulloren e re duke ndaluar të enjten, eksportin 250 mijë dozave të vaksinave AstraZeneca të prodhuara në këtë vend, të porositura nga Australia.

Megjithatë, shumë vende jo vetëm anëtare të unionit por edhe të kontinentit, po lenë mënjanë gjeopolitikën kur vjen puna për garantimin e jetës së qytetarëve dhe shohin shpresat tek vaksinat kineze që kanë efektshmëri të mjaftueshme për të frenuar përparimin e përhapjes së koronavirusit.

5 vende të kontinentit, si Mali i Zi, Serbia, Hungaria, Ukraina e Bjellorusia i kanë marrë dozat e para me vaksina kineze. Harta mund të zgjerohet shumë shpejt me Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Sllovakinë e më gjerë.

Tv Klan