Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij para Këshillit Kombëtar të PD është ndalur për të folur edhe për marrëveshjen e detit me Greqinë në vitin 2009. Sipas tij, ajo marrëveshje asokohe e kishte një shans pasi mund të gjykohej nga gjykata ndërkombëtare. Berisha shtoi se të gjitha u zhbënë pasi socialistët nisën të bënin marrëveshjen nga e para. Kjo sipas tij është bërë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Edi Rama është shkelmues i interesit kombëtar. Marrëveshja e detit e firmosur në 2009 nuk mund të them se ishte e përsosur, por një ekspertizë e njohur ndërkombëtare shprehet se linjat e përcaktuara mund të rezultojnë pikërisht këto që janë përcaktuar, sikundër mundet Shqipëria të përfitojë diçka më shumë, por me kusht që Greqia të mos kalojë në 12 milje. Dhe Greqia ishte me 6 milje. Dhe Greqia pranoi të shkojmë në gjykatë me marrëveshjen e 6 miljeve. Pranoi sepse ajo e pa që qeveria shqiptare bëri përpjekjet më të hapura për zgjidhjen e problemit. Një Gjykatë e rrëzoi marrëveshjen, por kjo marrëveshje e kishte një shans. Shansi i saj ishte ligji ndërkombëtar. Këta verbërisht zhbënë gjithë këtë punë që ishte bërë, filluan marrëveshjen nga e para me Kotzias-in dhe pas 4 vitesh negociata kur po shkonin për ta firmosur, marrëveshje të re tërësisht atë e kishin negociuar në kundërshtim flagrant me vendimin e GJK. I thotë palës greke që tani na mbetet gjykata. Cila gjykatë thonë këta? Në këtë rast Greqia përdori atë të drejtë që nuk i mohohej. Në ligjin ndërkombëtar ka të drejtë të ketë 12 milje. Edi Rama i njohur këtë të drejtë. Faktikisht shiti detin”, u shpreh Berisha.

Më tej Berisha shtoi: Marrëveshja e vitit 2009 po shkonte në gjykatë dhe ky zotëri ka bërë çdo hap në kundërshtim me vendimin e GJK. Për këtë nuk ekziston as gjykatë dhe asgjë tjetër. Sillet sikur ta ketë Shqipërinë çiflig të vetin. Në marrëveshjen e 2009 që të gjitha zonat e naftës dhe gazit binin në territorin e Shqipërisë, në ujërat territorialë të Shqipërisë. Në marrëveshjen që do firmoset me 12 milje kalojnë në republikën helvetike dhe shuma është miliarda, miliarda euro. Ky është aspekti i Edi Ramës me interesin kombëtar. Nuk ka vend që toleron një tradhtar si ky në krye të qeverisë dhe Shqipërisë. /tvklan.al