Jeremy Corbyn mund të zgjidhet kryeministër i Britanisë së Madhe, nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Mediat britanike i referohen sondazheve më të fundit, sipas të cilave rezulton se nëse zgjedhjet aktuale do të zhvilloheshin në këtë periudhë kur parlamenti e ka të pamundur të miratojë marrëveshjen e Theresa May me Brukselin, laburistët do të siguronin 290 vende në dhomën e ulët. Ndërsa konservatorët e May-t do të humbnin 60 vende nga ato që kanë aktualisht dhe do të siguronin vetëm 259.

Shumica e nevojshme për formimin e qeverisë është 326 deputetë, që Corbin mund t’i siguronte nga partitë e tjera parlamentare si liberaldemokratët.

Sondazhet tregojnë po ashtu se Laburistëve mund t’u bjerë mbështetja popullore, nëse nuk kërkojnë shpejt një referendum të dytë që mund të anullojë Brexitin. Nëse ata zgjedhin kauzën e anulimit të procesit të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, do t’i kishin të sigurta votat e partive që e mbështesin këtë çështje si ajo e nacionalistëve skocezë.

Këtë javë Brukseli shtyu deri më 31 Tetor afatin e Brexit, për t’i dhënë mundësi parlamentit britanik të gjejë zgjidhje për ngërçin e krijuar, që rrezikon dalje kaotike të Britanisë nga Unioni.

Tv Klan