Ekspertë gjermane për përcaktimin e shkaqeve

Ky është momenti kur rreth orës 21 të së mërkurës nisën flakët e zjarrit në spitalin modular të Tetovës. Siç duket nga pamjet e kamerave të sigurisë flakët kanë nisur në pjesën e pasme dhe pacientët kanë tentuar të dalin nga dritarja. Më pas ka pasur një shpërthim dhe godinat janë zhytur në errësirë.

Paraprakisht dyshohet se shkak për zjarrin është bërë një qark i shkurtër në njërën prej aparaturave, por ende nuk ka një qëndrim zyrtar. Qeveria konfirmoi me anë të një njoftimi se hetimeve do t’ju bashkohet edhe një grup ekspertësh nga Gjermania.

Mësohet se 2 prej 14 personave që humbën jetën ishin familjarë që hynë brenda për të nxjerrë të afërmit e tyre të sëmurë. 12 pacientët që i mbijetuan zjarrit janë në gjendje relativisht të mirë.

“Pacientët që kanë shpëtuar janë 12 dhe të gjithë janë mirë janë të dislokuar në repartin internistik. Nuk kanë lëndime trupore dhe gjendje relativisht të mirë. Ne kur arritëm ajo krejt kishte mbaruar, do të thotë e gjitha ka ndodhur diku 3 minuta, zjarrfikësit kanë ardhur për 5 minuta”.

Për zbardhjen e ngjarjes janë duke punuar edhe 5 prokurorë vendas të cilët kanë pyetur dëshmitarët dhe kanë marrë pamjet e kamerave të sigurisë.

Klan Macedonia