Dështon samitit i 28 liderëve europianë pas më shumë se 18 orë diskutimesh për Presidencën e Komisionit Europian dhe poste të tjera kyçe të institucioneve europiane. Kandidatura me e diskutuar, ajo Frans Timmermans i grupimit socialist dhe demokrat është rrëzuar nga 11 liderë europianë të cilët kanë kërkuar të njihen me përbërjen e të gjithë ekipit të posteve para se të japin dritën jeshile për Presidentin e Komisionit Europian.

“E përfundojmë këtë ditë me atë që mund të quhet një dështim. Asnjë s’mund të jetë i kënaqur me një përfundim të tillë pas kaq shumë orësh. Kjo tregon problemet e thella që kemi. Ky dështim është ai i ndarjeve politike në gjirin e partisë politike konservatore europiane që kanë kundërshtuar disa liderë që mund të ishin aprovuar në bazë të propozimit të bërë”, tha Presidenti francez Macron.

“Sot kemi një rezultat të keq dhe duhet t’a pranojmë, sepse duhet të gjejmë një kompromis që ka më shumë avantazhe sesa disavantazhe dhe nëse nuk kemi arritur sot nuk është e rëndësishme nëse samiti do të duhet të vijojë një ditë më shumë. Pra ka shumë propozime por ato nuk kanë marrë aprovimin e shumicës”, theksoi Kancelarja gjermane Merkel.

“Ne na u propozua sërish një paketë me Frans Timmermans si President i Komisionit Europian. Italia s’mund ta pranojë një proces të tillë që s’funksionon edhe pse s’kam asgjë me kandidaturën e Timmermans. U deshën 18 orë që të shpjegoja“, theksoi Kryeministri italian Giuseppe Conte.

28 liderët europianë do mblidhen sërish nesër për të vendosur për Presidentin e Komisionit Europian, në mënyrë që të zgjedhin Presidentin e Komisionit Europian para zgjedhjes së Presidentit të Parlamentit Europian, vota për të cilin është fiksuar për të mërkurën.

Tv Klan