Cikalleshi: Reja duhet të konfirmohet në pankinë, Roshi: Meritojmë notën 8

Sokol Cikalleshi dhe Odise Roshi folën në prag të ndeshjes kualifikuese të Botërorit të vitit të ardhshëm ndaj Anglisë në “Wembley”. Për sulmuesin që aktivizohet në Turqi, ku shënoi edhe dy gola në sfidën e fundit, grupi tek kuqezinjtë është i bashkuar për të arritur një rezultat pozitiv, teksa komentoi edhe pozicionin e trajnerit Reja në krye të ekipit përfaqësues.

“Në aspektin personal unë jam ndierë shumë mirë me trajnerin Reja dhe kam shënuar, por duke parë, po flas edhe në aspektin e ekipit,  edhe performancën e ekipit vitet kur ka qenë Reja në krye, besoj kemi kaluar nga epoka De Biasi në një futboll difensiv. Unë do të uroja që trajneri Reja të vazhdonte, pse jo dhe duke u mbështetur te eksperienca e tij, besoj që do ta ndihmonte shumë ekipin tonë për të arritur, për të bërë atë kapërcimin që duam të gjithë”.

Roshi shpreson që të zërë një vend titullari në formacionin ndaj anglezëve. Ai gjithashtu theksoi se ekipi kuqezi është rritur si dhe i vendosi edhe një notë Kombëtares për ndeshjet e këtij edicioni kualifikuesesh.

“Të themi “do fitojmë”, nuk mund ta themi dot, gjithmonë kështu kemi thënë, por shkojmë në “Wembley”, të luajmë dhe të japim maksimumin. Nota 10 është më e mira, besoj se notën 8”.

Angli-Shqipëri luhet të premten e 12 Nëntorit në orën 20:45.

Klan News