Dy të rinj kanë gjetur vdekjen në fshatin Buzhalë të Pukës. Ata u rrëzuan në një greminë dhe shkak se dyshohet se është bërë moti me erë të fortë. Viktimat T. Pjetri 20 vjeç dhe K. Maka 24 vjeç, ishin shokë me njëri-tjetrin dhe prej dy ditësh ndodheshin në stan për të kullotur bagëtitë. Kanë qenë banorët e zonës së bashku me familjarët, të cilët pas disa orë kërkimesh, bënë të mundur gjetjen e të rinjve dhe nxjerrjen e tyre nga humnera.

Që prej mëngjesit të sotëm moti i keq ka përfshirë pothuajse gjithë vendin. Era e fortë shkaktoi probleme të rënda në aksin Lezhë – Milot. Katër kamionë të tonazhit të rëndë u përmbysën, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Për shkak të përmbysjes së kamionëve, në këtë aks u krijua trafik i rënduar. Policia rrugore u detyrua të devijojë trafikun në dy rrugë dytësore për shmangien e të aksidenteve të tjera.

Dy persona kanë përfunduar në urgjencë nga rrëzimi i disa pëmeve dhe dëmtimi i bizneseve. Disa tabela të sinjalistikës rrugore janë rrëzuar. Të njëjtat probleme janë evidentuar dhe në mbrëmje në rrugën Fushë Krujë – Krujë.

Moti i keq i shoqëruar me erë të fortë, ka sjellë probleme edhe në furnizimin me energji elektrike në disa zona të Lezhës si dhe në Fushë – Krujë.

Sipas OSHEE janë dëmtuar disa pjesë të rrjetit elektrik në Fushë-Krujë, duke sjellë probleme në Nikël, Thumanë, Bubq dhe disa zona të qytetit.

Ndërsa në juglindje u rikthyhen reshjet e dëborës. Trashësia e saj në zona malore si Dardha, Voskopoja, Vithkuqi, Qafa e Qarrit rreth 5-10 cm.

Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme normalisht për mjetet, me përjashtim të segmentit Boboshticë –  Dardhë dhe pjesërisht Qafa e Qarrit të cilat kalohen me zinxhirë.

Tv Klan