“Të rihapen hetimet për Lulzim Bashën”, ëshë thirrja zyrtare e PD pas publikimit të lajmit se partia më e madhe opozitare ka përfituar në  zgjedhjet e vitit 2017, 500 mijë dollarë nëpërmjet financimeve ruse.

Edhe kjo çështje i ndan deputetët e Partisë Demokratike. Ata të cilët dikur ishin krahu i djathtë i Lulzim Bashës, sot drejtojnë gishtin ndaj tij.

Grida Duma: Unë kam vetëm një mendim, që PD duhet të afrohet me Perëndimin dhe duhet sa më tepër t’i largohet historisë së errët të Lindjes.

Ervin Salianji: Së pari nuk ka një lobim rus në Partinë Demokratike. Mund të ketë interesa personale dhe ndonjë që mund të ketë përfituar personalisht. Asnjë në PD, asnjë anëtar i thjeshtë, jo më drejtuesi i saj politik. Deputetët nuk ka asnjë diskutim që nuk kanë asnjë dijeni sepse di dhe personalisht që nuk kam asnjë dijeni për këtë çështje. Dënojnë çdo ndërhyrje të huaj, por sidomos ndërhyrje ruse në punët e PD-së. PD-ja është një parti e ndërtuar me vokacion Perëndimor dhe Eur-Antlantike dhe çdo përfshirje në këto lojëra jo vetëm ndaj PD-së që i është bërë dëm i jashtëzakonshëm nëse kjo do të vërtetohet që është e tillë, por çdo anëtar i PD-së do të ndihej i neveritur nëse para ruse apo çfarëdolloj ndikimi rus mund të ketë pasur edhe ndikimin më të vogël në çdo lloj përfaqësuesi të PD-së.

Ndërsa të tjerë përpiqen të distancojnë PD nga kjo ngjarje.

Tritan Shehu Partia Demokratike nuk ka asnjë lidhje me Rusinë, të jeni të bindur. Partia Demokratike është e lidhur me Perëndimin, është e lidhur me partnerët tanë strategjikë dhe kjo është e sigurtë.

Ferdinand Xhaferaj: Kjo është një çështje që është diskutuar edhe më parë dhe unë e di që zyrtarë të PD-së që nga kryetari Basha, kanë dhënë sqarime shteruese për këtë çështje. Nuk ka dalë provë tjetër, ky argument është përdorur vite më parë dhe e di që kryetari i PD-së Basha ka dhënë sqarime shteruese.

Ndryshe nga 4 vite më parë, kur socialistët i kërkonin llogari PD-së për lobimet  nëpërmjet financimeve ruse, këtë herë u treguan më të rezervuar.

Raporti i deklasifikuar i inteligjencës amerikane thotë se 500 mijë dollarët për PD, janë dhënë në kuadër të lëvizjes së fshehtë ruse, përtë financuar me 300 milion dollar parti të huaja politike në përpjekje për të fituar ndikim.

Klan News