Viti i pandemisë pati kufizime të shumta për të gjithë botën, por gjithashtu pati ndikim të fortë në sektorët e ekonomisë, ku turizmi ishte edhe një nga më të prekurit.

Në vendin tonë, turizmi është motori i dytë i ekonomisë pasi siguron të ardhura buxhetore vjetore, por për shkak të kufizimeve të vitit të shkuar, pati një reduktim të tyre.

Të ftuarit në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan trajtuan pikërisht temën e turizmit, si do të funksionojë këtë vit, shërbimet, çmimet dhe çfarë pritshmërish ka për këtë sezon veror.

Për këtë Verë, ka një protokoll të posaçëm për të gjitha bizneset që duhet të ndërmarrin masa për dezinfektimin e ambienteve, distancën e tavolinave dhe karrigeve, administrimin e mishit për të cilin ekziston një manual i veçantë. Mishi i papjekur ose i papërpunuar duhet të ndahet nga ushqimet e tjera dhe të ruhet në vendet e ruajtjes së përkohshme. Grumbullimet lejohen deri në 50 persona.

Turizmi ka disa fusha, por sezoni i Verës shënon pikun e zhvillimit të turizmit bregdetar edhe për shkak të rivierës, investimeve dhe peisazhit natyror që ofron, ndaj edhe pritshmëritë më të larta janë të lidhura me të. Ndërkohë parashikohet një qëndrueshmëri e çmimeve, por nuk përjashtohet ai që vitet e fundit po njihet si “turizmi i Instagramit” në disa vende që kanë çmime më të larta krahasuar me të tjerat.

Në zonat bregdetare ranore, çmimet variojnë nga 27-222 Euro nata, në zonat malore 24-120 Euro dhe 15-50 Euro në Bogë e Razëm, ndërsa në zonën e jugut 24-171 Euro.

Mirela Milori: Si është situata e turizmit këtë vit?

Rrahman Tafa, kryetari i Unionit të Turistëve të Shqipërisë: Turizmi është bërë vërtet një sektor prioritar, jo në letra siç ka qenë dikur, por në realitet. Jemi në një pritshmëri të mirë për sa i përket turizmit bregdetar. Turizmi ka disa lloje kategorish. Për turizmin bregdetar jemi brenda pritshmërive ose më lart. Për sa i përket turizmit kulturor, malor apo zhanreve të tjera, nuk jemi në pritshmërinë e duhur, aktualisht nuk ka grupe kulturore në Shqipëri. Pranvera ka qenë zero dhe Vera do të jetë shumë e vakët, ndoshta Vjeshta do të ketë njëfarë përmirësimi. Për sa i përket turizmit të bregdetit, kemi dy lloj komponentësh, turizëm të organizuar me operatorë ndërkombëtarë që vijnë me avion Charter, me paketa dhe turizëm individual ose sporadik i cili nuk ka qenë në shifrat e sakta që kemi pretenduar ose reklamuar, por funksionon vetëm në fundjavë.

Mirela Milori: Fundjava si do të operojë këtë vit, do të keni parasysh çmime më liberale, më tërheqëse apo do të keni parasysh çmime fikse në mënyrë që të fitoni? Si është politika?

Erinda Laci, menaxhere e një hoteli: Në hotelin ku jam unë është përgjatë gjithë vitit dhe ka të njëjtin çmim, nuk ka çmime sezonale. Mendoj se në vendet që kanë pak turizëm sidomos në verë dhe nga pandemia kanë kuptuar që po luftohet në një treg shumë të vogël, kanë kthyer sytë nga pjesa e sistemimit dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimit sesa rritja e çmimeve.

Mirela Milori: Ndalemi pak te çmimet. Në rrjete kanë qarkulluar fatura nga më të ndryshmet. Ndalem te njëra që thoshte “kërkoj dy gota ujë, gota bosh 200 lekë”.

Blerina Ago: Unë nuk e besoj, mendoj se janë raste sporadike të personave të izoluar ose thjesht për lajme, nuk e di sa janë të verifikuara, por unë mund të them që Shqipëria është ende shumë e lirë dhe jemi një destinacion i nënvlerësuar në Europë. Në fakt mund të ndodhë se meqë sezoni tani është ngushtuar shumë, pra pandemi, gjithë operatorët apo hotelet e bregdetit që e nisnin në Prill apo Maj, tani po e fillojnë në Qershor apo Korrik, flasim për shifrat e 2019 nga të cilat jemi larg. Nuk mendoj se do të ketë rritje të çmimeve, por kjo nuk përjashtoj raste sporadike. Ka njerëz të cilat abuzojnë dhe ndodh kudo ose janë disa pika kyçe më trend që të gjithë duan të shkojnë të bëjnë një postim në Instagram, ata edhe mund të abuzojnë pak. /tvklan.al