Japonia gati për spektakël, gara e Suzuka do mbahet deri në 2024

Çmimi i Madh i Japonisë do të zhvillohet në Suzuka edhe për tre vitet e ardhshme. Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e garës dhe drejtuesit e Formula Një, të cilët kanë konfirmuar se kjo pistë do pres garën më spektakolare të automobilizmit deri në vitin 2024.

“Zgjatja e kontratës është rezultati i marrëdhënies së frytshme midis Formula Një dhe drejtuesve të cirkuitit, pjesë e angazhimit strategjik për të zhvilluar sportin në Azi”, thuhet në njoftimin e Formula Një.

Pista e Suzuka është e vendosur 50 kilometra në jug perëndim të Nagoja, qyteti i tretë më i madh i Japonisë. Trajektorja e saj ka dhuruar spektakël për tifozët duke i dhënë adrenalinë dhe vendosur shumë për fatet e pilotëve në fund të sezonit.

Pista e famshme është paraqitur rregullisht në kalendarin e Kampionatit Botëror të Formula Një që prej vitit 1987, dhe prej asaj kohe ka përcaktuar 11 kampionë bote.

Klan News