Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja, mëngjesin e kësaj të hëne. Në fokus të diskutimeve, ka qenë çështja e inceneratorëve, për të cilën është ngritur një komision hetimor në Kuvend dhe Tabaku është kryetare.

Tabaku tha në një prononcim të shkurtër për mediat pas takimit se e ka siguruar Krajën se Komisioni Hetimor do t’i vendosë në dispozicion të gjitha dokumentet që ka. Ajo u shpreh se takimi mes të dyve ditën e sotme u realizua pas kërkesës së saj si kryetare e Komisionit Hetimor për Inceneratorët.

“E siguruam drejtuesin e SPAK-ut për të gjithë angazhimin tonë që t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund, për t’i vendosur njëkohësisht në dispozicion të gjithë informacionin, dokumentet që Komisioni Hetimor do të ketë, por njëkohësisht dhe raportin përfundimtar. Për t’u siguruar dhe për të konfirmuar që puna e Komisionit Hetimor, është në mbështetje të SPAK-ut për të nxitur SPAK-un në asnjë moment dhe në asnjë rast në mbivendosje të detyrave të SPAK-ut. Secili ka përgjegjësi ligjore, secili ka një mandat ligjor nga ne. Ne do të bëjmë atë për të cilën parlamenti nga ka mandatuar për të hetuar këdo që ka përgjegjësi ligjore dhe administrative në këtë proces dhe për të sjell këtu dokumentet zyrtarë që janë pjesë e hetimit . Pastaj të tjerat sigurisht që duhet t’i luaj SPAK-u.

Ju siguroj që deri më sot nuk ka asnjë mbivendosje të punës së Komisionit Hetimor, nuk ka asnjë cenim të kompetencave tona, përkundrazi jemi duke e mbështetur SPAK-un në punën e tij, duke i bërë provat transparente për publikun dhe duke ia lehtësuar punën SPAK-ut.

Unë nuk thash i vura në dispozicion. U sigurova që do të vendosim në dispozicion. Ky takim u kërkua nga unë si kryetare e Komisionit Hetimor duke pasur parasysh të gjitha diskutimet që ne kemi bërë në Komision për këtë çështje. Secili ka përgjegjësitë e qarta dhe secili e di se cilat janë kompetencat”./tvklan.al