Eksportet do të rinisin në Tetor, mbeten pa vaksina shumë shtete

India nuk pritet të rifillojë eksportin masiv të vaksinave kundër COVID-19 të paktën deri në muajin Tetor pasi po i shfrytëzon dozat e prodhuara në vend për konsum të brendshëm. Kjo është një periudhë më e gjatë nga sa mendohej fillimisht duke reduktuar sasitë për programin COVAX të OBSH-së.

Ndërsa ndeshet me gjendjen më të vështirë të pandemisë në botë, India vendosi një muaj më parë kufizimin e eksportit të vaksinave. Vendimi i qeverisë indiane lë pa vaksina vende si Bangladeshi, Nepali, Sri Lanka dhe shumë shtete afrikane.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila bashkëdrejton nismën COVAX, ju bëri thirrje prodhuesve të vaksinave jashtë Indisë që të shtojnë prodhimin dhe furnizimin për programin.

Një burim që foli në kushte anonimati me agjencinë Reuters tha se tani përparësi do të marrë fushata e vaksinimit në Indi, ndërsa numri i infektimeve kaloi në mbi 25 milionë.

Ministria e Jashtme e Indisë që koordinon eksportin e vaksinave nuk komentoi për këtë çështje, ndërsa një zëdhënës i Institutit Serum, prodhuesi më i madh në botë i vaksinave, tha se fokusi tani është furnizimi i Indisë.

COVAX dhe aleanca GAVI i thanë agjencisë Reuters se deri në fund të Majit presin të paktën 140 milionë doza vaksinash nga Instituti Serum. COVAX ka nënshkruar një kontratë me këtë institutit për 1.1 miliardë vaksina AstraZeneca ose Novavax.

Klan News